Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prizrenit ka marrë masën disiplinore “Vërejtje me shkrim” ndaj mësimdhënësit, Selver Shantir, i cili ditë më parë kishte publikuar një fotografi në “Facebook” me disa nxënës të shkollës fillore “Motrat Qiriazi”, duke bërë përshëndetje ushtarake para një flamuri turk.
Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës së Prizrenit Lis Dorambari.
“DKA-ja për mësuesin në fjalë, Selver Shantir, i cili është mësimdhënës në SHFMU “Motrat Qiriazi” në Prizren pas shkeljeve të gjetura që bien ndesh me Ligjin e Punës dhe Kontratën e Punës me 28 tetor, ka shqiptuar masë disiplinore ‘vërejtje me shkrim’, që i është vendosur në dosje personale“, ka bërë të ditur Dorambari.
Rasti i mësimdhënësit Shantir kishte nxitur reagime në vend javën e kaluar, ku pas kësaj drejtoria e Arsimit në Prizren dhe Inspektorati menjëherë kishin vizituar këtë shkollë për të marrë sqarime.