Reshjet e borës që ranë gjatë vikendit, kanë vështirësuar qarkullimin e veturave por edhe qytetarëve në rrugët e Prishtinës.
Mirëpo pavarësisht reshjeve, Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, ka bërë të ditur se rrugët në përgjithësi janë të kalueshme.
Në një prononcim për Telegrafin, shefi i shërbimeve publike, Habib Qorri ka deklaruar se kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve kanë qenë tërë kohën në teren.
“Me fillimin e reshjeve të borës, të gjitha kompanitë e kontraktuara nga Komuna e Prishtinës kanë qenë në teren të angazhuara me makineritë përkatëse për largimin e borës dhe hedhjen e kripës. Kështu kanë vazhduar gjatë tërë kohës pasi që reshjet janë përcjellur edhe me temperatura të ulëta”, ka thënë Qorri.
Ai ka shtuar se edhe zyrtarët nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, kanë qenë në teren gjatë tërë kohës me kompanitë me qëllim që të kryhen punët sa më mirë, që rrugët të jenë në gjendje për qarkullim.
“Si çdo vit edhe tani problem janë mjetet e parkuara në vende të palejuara dhe paraqesin pengesë për lëvizjen e makinave për mirëmbajtje të rrugëve. Komuna në bazë të planit për menaxhimin e mirëmbajtjes së rrugëve për sezonin dimëror rrugët e qytetit i ka ndarë në 6 lloto kurse për rrugët rurale në 2 lloto, ku për secilën lloto është e kontraktuar një kompani, të cilat kryejnë punët sipas kontratës. Në përgjithësi rrugët janë të qarkullueshme pa pengesa. Puna e kompanive
tërë kohën mbikëqyret nga zyrtarët të cilët janë menaxher të kontratave për mirëmbajtjen dimërore”, ka thënë Qorri.
Ndryshe sot mbi vendin tonë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe kohë pas kohe me reshje të dobëta bore.
Sipas IHK-së, temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -7 deri -5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 0 deri -2 gradë Celsius.