Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, pas gjashtë muajsh trajnimit intensiv nëpërmjet programit edukativ “Akademia për Qeverisje Lokale – (LGA)”, mbajti sesionin e fundit me ç’rast u certifikuan vijuesit e gjeneratës së pestë të këtij programi.
LGA është rrjeti më i madh i edukimit për zyrtarët komunalë, i cili në programet e tij përfshin sesione ligjërimi dhe trajnimi, shkëmbim të përvojave rajonale, punë grupore dhe diskutime të fokusuara të aktorëve lokalë.
Moduli përmbyllës, në një format të diskutimit të fokusuar trajtoi fushat dhe dimensionet kryesore ku shtrihet dhe operon qeverisja lokale. Ky sesion, njëkohësisht në formë të grupeve punuese, sprovoi shkathtësitë e vijuesve të programit në disa segmente, nisur nga njohja e legjislacionit dhe politikave, menaxhimi strategjik, qasja pro-aktive në shërbime komunale, qeverisja e mirë, menaxhimi përmes sistemeve të planifikimit të integruar e deri tek aspektet operacionale dhe teknike të menaxhimit të përditshëm të punëve në komunë.
Përmes sesioneve trajnuese dhe grupeve punuese u përfundua një vlerësim i fokusuar i programit dhe njëkohësisht u përdorën si mënyrë e verifikimit të kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së rrjetit. Të dhënat e dala konstatojnë se Instituti KLGI ka ndërtuar një rrjet funksional dhe mund të nisë fazën e re të angazhimit të fokusuar në fushat dhe sektorët funksional të qeverisjes lokale.
Në fazën testuese të grupeve punuese të ndarë sipas sektorëve dhe fushave funksionale, nëpërmes fakteve të shpejta të dala nga analiza e punës nëpër komuna, u pa se qeverisja lokale vazhdon të funksionoj në paqartësi të plotë, nisur nga mungesa e kohezionit të politikave dhe legjislacionit, menaxhimit ad-hoc, komplikueshmëria e procedurave, mbikëqyrja dhe llogaridhënia e dobët, e deri tek mungesa e përfshirjes së qytetarëve në vendim-marrje.
Duke parë këto sfida, Instituti KLGI bashkë me partnerët dhe anëtarët e rrjetit të shtrirë në gjitha komunat e Kosovës, ka ndërmarrë nismën për një angazhim të fokusuar nëpërmjet programit për fuqizimin e komunave i njohur si LGA-EMPOWER, që është rrjedhë e programit dhe rrjetit edukativ LGA dhe rezultat i nevojës për një intervenim direkt ndër-nivelor dhe ndër-sektorial për ti ofruar efikasitet të plotë decentralizimit në nivelin lokal.