Bordi Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) mblidhet për herë të dytë këtë muaj në përpjekje për të zgjedhur Përfaqësuesin e ri të Lartë për Bosnje e Hercegovinën.
Për Radion Evropa e Lirë është konfirmuar se mbledhja e PIC-ut është duke u zhvilluar në Sarajevë.
Në mbledhjen e parë, të mbajtur më 3 dhe 4 qershor, shtetet anëtare nuk arritën të pajtoheshin për pasardhësin e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, i cili ka njoftuar për largimin nga kjo detyrë pas pak më shumë se pesë vjetësh mandat.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara mbështesin diplomatin italian Antonio Zanardi Landi – i cili ka edhe mbështetjen e vendit të tij – shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian në PIC kanë propozuar për këtë post diplomatin francez, Rene Trocaz.
Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se Uashingtoni pret që Përfaqësuesi i ri i Lartë në Bosnje e Hercegovinë të marrë detyrën deri në fund të qershorit.
As SHBA-ja, as shtetet e tjera anëtare të PIC-ut, nuk kanë specifikuar se çfarë do të ndodhë me Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në këtë afat, i cili nuk është detyrues.
Deri në publikimin e këtij lajmi, ambasadat e Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë nuk u përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se çfarë të ardhme presin që të ketë OHR-i dhe çfarë përgjegjësish do të ketë kjo zyrë në të ardhmen.
Bashkimi Evropian, ndërkaq, u përgjigj në një kërkesë të bërë më parë nga REL-i, duke thënë se ende po punojnë për të zgjedhur Përfaqësuesin e ri të Lartë, i cili do të përfaqësojë “unitet dhe konsensus”.
Nga Brukseli thanë se kandidati duhet të jetë nga BE-ja, dhe se blloku është i përkushtuar për “stabilitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës” si dhe për perspektivën evropiane si “një shtet i vetëm, i bashkuar dhe sovran”.
Kush janë kandidatët e mundshëm për Përfaqësues të Lartë?
Aktualisht, dy kandidatët kryesorë janë Landi dhe Trokazi.
Landi është 76-vjeçar dhe është diplomat karriere. Ai ka shërbyer si ambasador i Italisë në Rusi, Vatikan, Serbi dhe Mal të Zi.
Aktualisht, ai shërben si ambasador i Maltës në Selinë e Shenjtë.
Gjatë karrierës së tij diplomatike, pothuajse 50-vjeçare, ai ka punuar edhe në ambasadat në Otavë, Teheran dhe Londër.