Konfindustria: Ndryshimet në ligjin për “Partneritetin publik” janë të pamjaftueshme

Prishtinë | 24 Shk 2019 | 09:42 | Nga Ekonomia Online

Konfindustria vlerëson, se ndryshimet në ligjin për “Partneritetin publik, privat dhe koncesionet e pakërkuara” të miratuara së fundmi në Këshillin e Ministrave, janë të pamjaftueshme dhe kanë nevojë për përmirësime thelbësore për të mbrojtur interesin publik.

Prekja me nxitim dhe pa debat paraprak i një ligji të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit në afatgjatë bëhet edhe më shumë shqetësuese në kushtet e krizës politike dhe mungesës së opozitës në Kuvendin e Shqipërisë.

Konfindustria vlerëson, se ndryshimet e kryera lënë hapsira të shumta për subjektivizëm, korrupsion dhe shpërdorim të parave publike. Shqipëria është e papërgatitur në infrastrukturën institucionale të nevojshme për ndërtimin dhe zbatimin e politikave të PPP, që janë të ndërlikuara edhe për vende të zhvilluara. 

Për sa më sipër në një afat kohor disa vjecar politikat e PPP dhe koncesioneve të pakërkuara duhet të ndërpriteshin menjëherë dhe pa kufizim sektorësh. Ndalimi i koncesioneve të “pakërkuara” vetëm për projektet e infrastrukturës rrugore dhe lënia hapur e mundësive për sektorët strategjikë të ekonomisë si HEC-et, sistemet energjitike, portet, aeroportet, shendetësi, etj., rrezikojnë ta kthejnë projekt ligjin vetëm në një retorikë politike pa asnjë ndikim të prekshëm.

  Gjithashtu, është e papranueshme, që sërish nuk ndalohet pjesemarrja në kontrata koncesionare dhe PPP të kompanive “guackë” të regjistruar në parajsa fiskale.

Politikat e PPP dhe koncesioneve të pakërkuar kanë prodhuar pakënaqësi të mëdha te biznesi dhe qytetarët për shkatërrim konkurence, krijim monopolesh, dëme mjedisore, etj., ka thelluar borxhin publik në mbi 82% të PBB, ka rritur kostot financiare në energji, karburante, shërbime portuale, rrugë, aeroporte, sherbime publike, etj..

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme