Konfindustria kërkon nga institucionet të gjejnë rrugë për zgjidhje të krizës politike

Prishtinë | 18 Shk 2019 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

Konfindustria i kërkon vendimmarrjes politike të gjithë krahëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të gjejnë rrugë zgjidhje të krizës politike, për të mos rënduar më tej gjendjen e vështirë ekonomike të tashme, që po kalon vendi.
Konfindustria vlerëson, se tregues i qartë i gjendjes së vështirë ekonomike është fakti i pranuar zyrtarisht, se vlera e detyrimit në monedhën euro të TVSH/tatimit mbi vlerën e shtuar të qeverisë ndaj biznesit në vitin fiskal 2018 ka tejkaluar të njëjtin detyrim të vitit 2013. Përllogaritja krahësimore e detyrimeve sipas të dhënave zyrtare tregon, që në vitin 2018 shteti nuk u ka kthyer TVSH operatorëve të biznesit pothuaj 93 milion euro kundrejt afër 92 milion euro në dhjetor të vitit 2013.

Konfindustria vlerëson, se tejkalimi i masës së borxhit ndaj bizneseve në vitin fiskal 2018 kundrejt gjashtë viteve më parë, tregon për performancë të dobët të politikave qeveritare të ndjekura me pasojë të drejtpërdrejtë rendimentin e ulët fiskal të ekonomisë kombëtare. Sa më sipër rrit kostot e biznesit, rrezikon seriozisht besimin e investitorëve, vë në pikpyetje përmbushjen e treguesve kryesorë makro të buxhetit 2019 dhe godet zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm afatgjatë të vendit.
Gjendja paraqitet edhe më problematike, sepse niveli i borxhit publik të vendit në vitin fiskal 2018, sipas agjencive audituese të pavarura dhe certifikimit “de facto” nga institucionet financiare ndërkombëtare, është të paktën 10% i PPB më i lartë se në vitin 2013, pallogaritur detyrimet në rritje nga projektet e tipit PPP/Partneritetit Publik Privat të tashme dhe të parashikuara në progamet qeveritare të shpallura. Sa më sipër bën pothuaj të pamundur marrjen e borxhit të ri si mekanizëm financiar i përdorur në të ashtuquajturën krizë të borxheve të viti 2013.

Në vitin 2014 Qeveria shqiptare në marrëveshje me FMN morri borxh të ri në një vlerë pothuaj 1 miliard $, duke e përligjur me nevojën e përballimit të detyrimeve të gjetuar nga qeverisja e mëparshme. Performanca e dobët e politikave ekonomike dhe financiare qeveritare gjatë vitit 2018, të shprehura qartë në rritjen e fortë të detyrimeve financiare të pakthyera bizneseve dhe të tretëve në përgjithësi, ngarkon me përgjegjësi edhe programet e bashkpunimit të FMN/Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme