I konfirmohet dënimi me 23 vite burgim të akuzuarit për vrasjen e dyfishtë në Kosuriq të Pejës

Prishtinë | 03 Maj 2024 | 18:49 | Nga Ekonomia Online

Në rigjykim i akuzuari Binak Panxha është dënuar sërish me 23 vite burgim për vrasjen e dyfishtë në Kosuriq të Pejës.

Shpalljen e këtij aktgjykimi e bëri kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu.

Ndaj të akuzuarit Panxha, gjykata ka shpallur aktgjykimin dhe e ka dënuar me 23 vite burgim për veprën penale vrasje e rëndë.

I njëjti u obligua që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë paushallin gjyqësor në shumë prej 100 euro si dhe taksën për kompensimin për viktimat e krimit shumën prej 50 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pala e dëmtuar u udhëzua në kontest të rregullt civil.

Ndryshe, më 16 shkurt 2021, Panxha ishte gjykuar me 23 vite burgim efektiv, sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharaxhiu.

Por, më 9 shtator 2021, Gjykata e Apelit e ka prishur aktgjykimin dënues të Gjykatës së Pejës, ku kjo e fundit, me 23 vite burgim efektiv e kishte gjykuar të akuzuarin Binak Panxha për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve R.B dhe A.B., në pyllin e familjes Panxha.

Aktakuza e ngritur më 13 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, ngarkon Binak Panxhën se më 21 korrik 2017, në pyllin e fshatit Kosuriq, ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit R.B dhe A.B.

Në aktakuzë përshkruhet se deri te momenti kritik ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, pronë e familjes së të akuzuarit.

Me çka, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 179, par.1, lidhur me pikën 1.11 të Kodit Penal, për të cilin parashihet dënimi me burgim jo më pak se 10 vite burgim ose dënim me burgim të përjetshëm.

Të ngjashme