Mushkolaj: Qeveria po kundërshton çdo media e zë kritik

Prishtinë | 03 Maj 2024 | 14:01 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kreu i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), Imer Mushkolaj, pas rezultateve të Kosovës në indeksin e lirisë së mediave nga “Reporterët Pa Kufij”, ka thënë se zbritja për 19 vende është jashtëzakonisht shqetësuese.

Mushkolaj për Ekonomia Online ka thënë se nuk ka pritur ndonjë rangim më të lartë, marrë parasysh qasjen e Qeverisë në vitin e kaluar, sulmet e fushatat linçuese kundër mediave dhe gazetarëve.

Sipas Mushkolajt, Qeveria ka kundërshtuar çdo media e zë kritik dhe është munduar ta minojë besimin e qytetarëve në media.

“Rangimi në raportin e Reporterëve Pa Kufij kaq ulët dhe ky dallim shumë i madh krahasuar me vitin e kaluar, domethënë zbritje për 19 vende, është përnjëmend jashtëzakonisht shqetësue, por nuk është se kam pritur ndonjë rangim më të lartë duke pas parasysh gjithë qasjen që ka pasur Qeveria. Jo vetëm Qeveria por edhe institucionet në përgjithësi karshi mediave dhe gazetarëve gjatë vitit 2023”.

“Kam parasysh linçimet, sulmet e fushata linçuese që janë bërë kundër mediave dhe gazetarëve dhe të cilat në fakt Qeveria i ka zgjedh si rrugë më të shkurtë për të kundërshtuar çdo media kritike, çdo zë kritik, çdo gazetar kritik, duke provuar që te publiku ta minojë besimin që ata kanë në media”, ka thënë Mushkolaj.

Mushkolaj ka thënë se qytetarët, për problemet e tyre, derën e parë i kanë mediat. Ai po ashtu i ka lavdëruar gazetarët dhe mediat, duke theksuar se aspekti profesional i raportimit të gazetarëve në masë të madhe është korrekt.

“Ne jemi të gjithë dëshmitarë se qytetarët derën e parë ku drejtohen me e zgjidh një problem i kanë mediat dhe pastaj mediat janë ato që bëjnë presionin te qeveria për t’i kryer obligimet që ata i kanë”.

“Sa i përket pastaj gjendjes së gazetarëve unë do e ndaja në dy fusha. E para aspekti profesional i raportimit të gazetarëve që unë besoj se në masë të madhe është korrekt pavarësisht problemeve që mund t’i kenë, pavarësisht lëshimeve që mund t’i kenë, se tash edhe gazetaria online dhe digjitalizimi e ka bë të veten dhe shpeshherë vihet shpejtësia përballë saktësisë. Por në fushën tjetër sa i përket kushteve të punës natyrisht se ka jashtëzakonisht shumë probleme në kuptimin që gazetarët ende unë mendoj që nuk paguhen sa duhet për punën që ata bëjnë”.

“Mediat nuk janë shumë të qëndrueshme financiarisht, kushtet e punës nuk janë shumë të mira dhe kjo bën pastaj që gjithë këto ngarkesa që gazetarët dhe gazetaret i kanë në njëfarë formë, ndonjëherë të reflektojnë edhe në mënyrën se si raportojnë dhe si i qasen një çështje të caktuat”, ka thënë Mushkolaj për EO.

Të ngjashme