Rreth dy muaj pasi që e konfirmoi aktakuzën ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretarit të kësaj ministrie, Gani Shabani, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur njëjtë edhe për 46 të akuzuar tjerë të përfshirë në rastin e njohur si “Stenta”.
Gjykata i ka refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga Gani Bajraktari, Sami Gjoka, Faik Shatri dhe 43 mjekë të tjerë, ndaj të cilëve, ishte vendosur të veçohet procedura në shqyrtimin fillestar të mbajtur në shkurt të këtij viti.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Kurse, sa i përket pjesës së tretë të të akuzuarve në këtë rast, ku përfshihen disa drejtorë të spitaleve private, mjekë dhe personel tjetër mjekësor, zëdhënësja Gashi bëri të ditur, se ende nuk është vendosur në lidhje me kërkesat e tyre për hedhjen e aktakuzës.
“Lidhur me lëndën PKR.nr.41/18, Gjykata ende nuk ka marr Aktvendim sa i përket kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtim të provave”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
Fillimisht, në rastin “Stenta” kishin qenë të përfshirë 64 të akuzuar, mirëpo në ndërkohë, prokuroria ishte tërhequr nga ndjekja penale ndaj Afrim Bekteshit, kurse, për të akuzuarit tjerë ishte vendosur të zhvilloheshin tri procedura të ndara gjyqësore.
Kështu, në rastin tash të njohur si “Stenta 1”, janë duke u gjykuar ish-ministri Ferid Agani dhe ish-sekretari Gani Shabani, në rastin “Stenta 2”, janë të akuzuar Gani Bajraktari, Sami Gjoka, Faik Shatri dhe 43 mjekë të tjerë, kurse në “Stenta 3” janë të përfshirë të akuzuarit, Ali Hocaoglu, Mahmut Çakmak, Raif Çavolli, Borche Petrovski, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Abdullah Tuna, Astrit Bakiqi, Driton Sylejmani, Arton Beqiri, Lulzim Brovina dhe katër spitale private si persona juridik.
Prokuroria e Shtetit më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.
Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.
Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe katër personave juridikë. Mirëpo për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.
Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.