Tetë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), nga radhët e komunitetit serb, zyrtarisht kanë paraqitur dorëheqjen nga FSK-ja.
Kështu bëri të ditur në një prononcim për Telegrafin drejtori i departamentit për marrëdhënie me publikun në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), Ibrahim Shala.
Shala tha se paraqitja e dorëheqjeve të këtyre pjesëtarëve të FSK-së është ndërhyrje në jetën e qytetarëve të komunitetit serb nga strukturat e Serbisë.
“Kjo është ndërhyrje në jetën e qytetarëve të komunitetit serb, që janë edhe pjesëtarë të FSK-së nga ana e strukturave të shtetit të Serbisë. Kjo është formë presioni dhe shkelje e drejtave dhe lirive të njeriut për të projektuar dhe ndërtuar jetën e vet”, theksoi ai.
Sipas tij, numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të komuniteteve që shërbejnë në FSK është 242, prej tyre 130 të komunitetit serb.
“Deri më sot numri i atyre që kanë paraqitur dorëheqje është tetë. Në Forcën e Sigurisë së Kosovës aktualisht shërbejnë 242 (11.10%) pjesëtarë nga radhët e komuniteteve. Prej tyre 130 pjesëtarë janë nga radhët e komunitetit serb, me përqindje, 5.28%”, tha Shala.
Shala po ashtu tregoi se vendet e lira do të plotësohen në rekrutimin e ardhshëm e cila do të bëhet sipas planifikimeve të parapara nga FSK.
“Në momentin kur FSK do të bëjë rekrutimin e ardhshëm sipas planifikimeve të parapara do të plotësohen të gjitha vendet. Në FSK nuk ka plotësime të vendeve në mënyrë individuale”, tha ndër të tjera Shala.
Megjithëse në media është raportuar për dorëheqje të mbi 20 serbëve nga FSK, kërkesa zyrtare për dorëheqje janë tetë.
Ndryshe, presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë shpeshtuar në muajt e fundit, fillimisht me paraburgimet në vendkalimet kufitare me Serbinë, e më pas edhe me deklaratat e autoriteteve serbe se atyre iu kërcënohet dënimi deri me 10 vjet, për shkak të pjesëmarrjes në formacionet e huaja të armatosura. /Telegrafi/