Konfirmohet takimi Biden-Scholz për të biseduar për Ukrainën

Prishtinë | 27 Jan 2022 | 19:55 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe kancelari i ri gjerman, Olaf Scholz, do të diskutojnë për agresionin rus ndaj Ukrainës, gjatë një takimi që pritet të ndodh muajin e ardhshëm (më 7 shkurt) në Uashington, njoftoi Shtëpia e Bardhë të enjten.

Takimi kokë më kokë do të jetë takimi i parë prej kur Scholz mori drejtimin e vendit të tij në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Tensionet janë rritur ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, pasi Perëndimi shpreh shqetësimin për grumbullimin e rreth 100 mijë trupave ruse afër kufirit me Ukrainën, që shihet edhe si tentim i Rusisë për të pushtuar fqinjin e saj.

Moska ka mohuar në vazhdimësi një gjë të tillë.

Refuzimi i Gjermanisë për t’u bashkuar me SHBA-në dhe anëtarët e tjerë të NATO-s në ofrimin e armëve për Ukrainën, ka mërzitur disa aleatë dhe ka ngritur pikëpyetje rreth vendosmërisë së Berlinit për t’iu kundërvënë Rusisë.

Militarizimi i vetë Gjermanisë në Evropë gjatë dy Luftërave Botërore, i ka bërë udhëheqësit gjermanë gjatë viteve të shohin çdo përgjigje ushtarake si mjetin e fundit.

Shtëpia e Bardhë e njoftoi vizitën një ditë pasi SHBA-ja refuzoi kërkesat kryesorë të Rusisë për zgjidhjen e krizës së gjatë mbi Ukrainën.

Kremlini tha të enjten se refuzimi i SHBA-së “lë pak terren për optimizëm”.

Biden dhe Scholz do të diskutojnë gjithashtu bashkëpunimin për pandeminë COVID-19, ndryshimet klimatike dhe çështjet ekonomike dhe të sigurisë, tha Shtëpia e Bardhë.

Scholz në dhjetor u bë kancelari i nëntë i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, duke hapur një epokë të re për kombin më të populluar dhe ekonominë më të madhe të Bashkimit Evropian pas mandatit 16-vjeçar të Angela Merkel.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme