Me kërkesë të ministrit në detyrë të Financave (MF), Bedri Hamza, të martën do të mblidhet ekzekutivi i vendit.
Lajmin për Ekonomia Online, e ka konfirmuar kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj. Ai ka sqaruar se mbledhja do të mbahet me qëllim të rialokimit të mjeteve buxhetore.
“Mbledhja është kërkuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza, për rirregullim dhe rialokimi i mjeteve që është obligim ligjor në fundvit për me mundësua funksionimin e të gjithë sektorëve, pra pagave dhe besoj që do të ketë nesër”.
Ai ka thënë se pavarësisht vonesave të formimit të institucioneve të reja, nuk do të ketë rrezikim të funksionimit në aspektin buxhetor, raporton EO.
“Shteti funksionon dhe nuk ka kurrfarë rrezikimi. Sepse demokracia në Kosovë është e avancuar. Prej rastin të dorëheqjes sime, shpërbërja e Parlamentit, të gjitha këto janë procese të parapara me ligj”.
Haradinaj i ishte drejtuar Gjykatës Kushtuese nëse ka të drejtë që të mbajë mbledhje të Qeverisë, pas dorëheqjes së tij, pasi morri ftesë nga Gjykata Speciale për intervistim.
Gjykata Kushtetuese me 4 shtator e ka cilësuar të papranueshme kërkesën për interpretim të Ramush Haradinajt lidhur faktin nëse ka të drejtë që të mbledhë Qeverinë dhe të marrë vendime edhe pse ka dhënë dorëheqjen.
Në vendim të Gjykatës thuhet çështjet e ngritura nga Haradinaj nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese. Në kohën e kur e kishte parashtruar kërkesën për interpretim, Haradinaj tha se “kushtetuta e Kosovës nuk e ka caktuar se çfarë ndodhë kur një kryeministër jep dorëheqje”.
Vendimi i plotë:
Aktvendim Lënda: KO 124/19 Parashtrues: Kryeministri (në dorëheqje) i Republikës së Kosovës Objekt i çështjes së kërkesës ishte interpretimi i aktit të dorëheqjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe definimi i kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë, pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit. Kërkesa bazohej në paragrafin 10 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], në lidhje me nenin 113 [Jurisdiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e jurisdiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, dhe me rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, Gjykata njëzëri vendosi: TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme.