Ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Olta Xhacka, ka dhënë deklaratë të jashtëzakonshme lidhur me situatën e krijuar pas tërmeteve të fuqishme që goditën së fundi Shqipërinë.
Xhacka ka thënë se janë duke punuar vazhdimisht për të shpëtuar të gjallë të gjithë të prekurit nga lëkundjet e tokës, ndonëse në kushte të rënda për shkak të gjendjes së krijuar nga ndërtesat e rrënuara.
”Janë operacione tepër të vështira pasi ekziston që në godina të ndodhë shembje të tjera. E gjithë Qeveria dhe struktura ndërtuese e emergjencave civile është në terren. Janë 400 efektivë të forcave të armatosura në terren, mbi 1000 efektivë policë të shtetit dhe disa qindra personel mjekësor”.
”Është situatë e rëndë qoftë për shkak të godinave të dëmtuara dhe zonave të rrezikshme të tyre”.
”Lajm i mirë është që nuk jemi vetëm, të gjithë aleatët janë lajmëruar. Nga Italia janë nisur ekspertë, nga Turqia po ashtu dhe nga vëllezërit tanë nga Kosova. Qytetarët kanë vënë një ndihmë të jashtëzakonshme. Dua t’ju bëjë thirrje me forcë të gjithë qytetarëve që shtëpitë e të cilëve janë të dëmtuara të evitojnë këto ambiente”.
”Mësimi sot në të gjitha shkollat kopshtet e çerdhet janë mbyllur sot edhe nesër”.
Ajo ka konfirmuar zyrtarisht bilancin e jetëve të humbura dhe të të lënduarve si pasojë e dridhjeve të fuqishme të tokës, njofton Klan Kosova.
”Deri tani ka 135 të lënduar, 12 të shtrirë në Spitalin e Durrësit. Janë konfirmuar 7 jetë të humbura. Operacionet e kërkim shpëtimit vazhdojnë. Lutja jonë është që ata të jenë shëndosh e mirë. Do të bëjmë çdo gjë për t’i shpëtuar. Jemi ende duke mbledhur raportime në çdo qark”.
”Kurajo të gjithëve, i gjithë shteti është në këmbë dhe do të bëjmë gjithçka për ta përballuar këtë situatë të vështirë”.