Pas ankimit të një personi për të shtëna në Llapushnik të Drenasit, policia ka konfiskuar dy pistoleta.
Në raportin e përditshëm policor thuhet se një person është ankuar se parmbrëmë në Llapushnik pas një mosmarrëveshjeje ka pasur të shtëna.
Policia ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa ka konfiskuar katër gëzhoja e më pas edhe dy pistoleta.
“Patrulla policore në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja kalibër 7.65mm, e më pas gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit kanë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta”, thuhet në raportin policor.
Sipas policisë, i dyshuari me urdhër të prokurorit është liruar.