Vetëm brenda 24 orëve të fundit njësitë policore në rajonin e Mitrovicës, kanë konfiskuar tri armë. Rasti i parë është raportuar të ketë ndodhur në zonën e Vushtrrisë, ku sipas një informacioni të pranuar nga një ankues thuhej se një person në kamionin e tij posedonte armë.
Njësitë policore kanë arritur të ndalojnë kamionin në të cilin gjendeshin dy persona tashmë në cilësi të të dyshuarve, ku pas kontrollit në kamion kanë gjetur dy armë, një pushkë automatike dhe një pistoletë.
Dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe pas procedurave intervistuese janë liruar për procedurë të rregullt. Ndaj të dyshuarve është iniciuar procedurë penale ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’.
Ndërsa rasti i dytë i konfiskimit të një pistolete është raportuar në zonën e Mitrovicës, ku njësitë policore kanë identifikuar lokacionin ku ishin dëgjuar të shtëna, ku me këtë rast një person është arrestuar, nga i cili është konfiskuar pistoleta me të cilën dyshohet se ka shtënë në një aheng familjar. Pas procedurave intervistuese i dyshuari është liruar për procedurë të rregullt.
Ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë për veprat penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.