Kongresi i Reumatologëve fillon me kongresin e 4-të

Prishtinë | 02 Nën 2018 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Reumatologëve të Kosovës, ka filluar sot Kongresin e 4-të, të Reumatologëve të Kosovës, i cili do të mbahet me 2 dhe 3 nëntor.  Kongres ky i cili është me dedikim kombëtar, por me pjesëmarrje elite ndërkombëtare. Në këtë kongres i cili do t’i ketë 10 sesione,  janë të pranishëm 42 ligjërues, të cilët do të flasin për sëmundjet më aktuale reumatizmale, inflamatore.

Në kongres po marrin pjesë ligjëruesit më të mirë vendor, por dhe nga vendet tjera si nga Shqipëria, Gjermania, Italia, Austria,Sllovenia, Kroacia, Bosna dhe Hercegovina dhe Maqedonia.

Kryetari i Shoqatës së Reumatologëve të Kosovës Prof. Dr. Sylejman Rexhepi, tha se ky kongres është një rast i veçantë, për të gjithë ata që punojnë në zhvillimin e reumatologjisë. Ndërsa pohoi se  në katër dekadat e punës së frytshme të reumatologjisë kosovare, janë shënuar shumë suksese.

“Shfrytëzoj rastin t’i komplimentojë të gjithë kolegët e mi akademikë dhe profesionistë dhe t’ju shpreh kënaqësinë time, për ndarjen e këtij momenti të rëndësishëm, për zhvillimin e Reumatologjisë. Për kolegët tanë të shquar dhe të gjithë pjesëmarrësit, të cilët kanë ardhur nga vende të ndryshme, unë jam shumë i nderuar dhe i kënaqur, t’ju uroj mirëseardhje në Prishtinë, në emër të Këshillit Organizativ dhe Shkencor të Kongresit të Reumatologjisë së Kosovës. Jemi të nderuar që ju kemi këtu me ne. Ky kongres është sigurisht një rast i veçantë, për ata që punojnë në zhvillimin Reumatologjisë, në arsim, kërkime dhe zhvillim profesional. Ne kemi pjesëmarrës nga vende të ndryshme rajonale dhe evropiane, duke e bërë kongresin tonë një ngjarje shumë të rëndësishme. Prania e tyre është gjithashtu një mundësi për të krijuar qasje të reja shkencore dhe profesionale me realitete të tjera gjeografike. Në katër dekadat e punës së frytshme të reumatologjisë kosovare, janë shënuar shumë suksese. Iu falënderohem ju,  që e keni mbështetur hap pas hapi zhvillimin e reumatologjisë kosovare”, ka thënë Rexhepi.

Ndërkaq Dr. Hans P. Dimai nga Austria u shpreh i bindur, që ky kongres do të jetë një platforme shumë interaktive dhe produktive, në shkëmbimin e eksperiencave shkencore.

Koleg te nderuar dhe pjesëmarrës, ju uroj mirëseardhje ne ketë kongres prestigjioz dhe vend te mrekullueshëm. Falënderoj organizatoret për këtë kongres te mrekullueshëm si dhe për mundësinë që mu ofrua, për te shkëmbyer ca mendime dhe vështrime me ekspertet e kësaj fushe. Jam i bindur qe ky kongres do të jetë një platforme shumë interaktive dhe produktive, për shkëmbimin e eksperiencave shkencore “, tha ai.

Ndryshe në këtë kongres 42 ligjërues, për dy ditë me radhë, do të flasin për sëmundjet më aktuale reumatizmale, inflamatore, siç janë artriti reumatoid, skleroza sistemike progersive, lupusi, artriti psoriatik dhe vaskulitet. Po ashtu ligjëruesit në këtë kongres, do të flasin për përvojën më të re të aspekteve etiologjike, të shkaktarit të sëmundjes, mënyrën më të mirë diagnostike, e po ashtu dhe terapeutike.

Shoqata e Reumatologëve të Kosovës, me rastin e hapjes së Kongresit të 4-të të Reumatologëve, ka ndarë  dhe një Mirënjohje-post mortem, për Prof. dr Remzi Izairit, për kontributin e  dhënë në fushën e Reumatologjisë.

Të ngjashme