Konferenca e sotme e Lëvizjes Vetëvendosje u fokusua në masat që ka ndërmarrë pushteti lidhur me dëbimin nga Kosova të aktivistëve që kanë përgjegjësi të caktuara në Vetëvendosje e që janë nga Republika e Shqipërisë.
Para dy ditësh, Policia e Kosovës ka ndaluar në kufi Koordinatoren e Komiteteve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Dejona Mihali, e ka mbajtur për tri orë në pikën kufitare e pastaj e kanë kthyer duke mos e lejuar të hyjë në Kosovë. Ngjashëm kishte ndodhur edhe me Boiken Abazin, Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes, si dhe me z. Arbër Zaimi, këshilltar politik i Kryetarit Visar Ymeri. Abazi iu ndalua hyrja në Kosovë për 2 vite, Zaimi për 2 muaj, kurse Mihali pa afat.
Lidhur me këtë çështje, drejtuesi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, shtroi një varg pyetjesh për autoritetet e Republikës së Kosovës, nga të cilat kërkojmë përgjigje urgjente: “Kush e dha urdhrin për ndalimin e Dejona Mihalit që ajo të hyjë në Kosovë?
Kujt i konvenon që të mos lejohen aktivistët e Shqipërisë që të jetojnë dhe të veprojnë në Kosovë? Kush është përgjegjës për persekutimin e aktivistëve nga Shqipëria vetëm e vetëm për shkak të bindjeve të tyre politike? Kush po i pengon gjykatat që të mos punojnë sipas ligjeve meqë ato qëllimisht nuk po e shqyrtojnë padinë që e kanë bërë këta aktivistë, edhe pse e kanë obligim që këtë çështje ta shqyrtonin brenda 60 ditësh?
A mund të na përgjigjet presidenti, kryeministri apo ministri i brendshëm, se pse Dejona Mihali ka kërcënuar ‘rendin publik’, ‘sigurinë e brendshme’, ‘shëndetin publik’ dhe ‘marrëdhëniet ndërkombëtare’? Si është e mundur që politikanët dhe kriminelët nga Serbia hyjnë në Kosovë duke i shkelur të gjitha ligjet e Kosovës, kurse aktivistët nga Shqipëria, që nuk e kanë shkelur asnjë ligj, dëbohen nga Kosova?”, pyeti Konjufca, duke shtuar se aktivistët e Republikës së Shqipërisë janë angazhuar dhe angazhohen me të gjithë potencialin e tyre për të mirën e Republikës së Kosovës, dhe se Kosova ka nevojë për ta. “Kjo Qeveri po i trajton ata, njësoj siç i ka trajtuar Qeveria e Serbisë më parë aktivistët e Republikës së Shqipërisë që vinin në Kosovë në vitet ’90 e më parë”, tha në fund Konjufca.
Deputetja Albulena Haxhiu tha zyrtarët e MPB-së kanë zbatuar urdhra kryekëput politik të Skender Hysenit dhe Isa Mustafës. “Abazi, Zaimi dhe Mihali, i janë shqiptuar masa të ndalimit të lirisë së lëvizjes mbi halucinacion e kësaj qeverie, për shkak se as në vendimet e lëshuar nuk specifikohen shkaqet konkrete me të cilat do të ishin vërtetuar pretendimet e tyre”, theksoi Haxhiu.
Lidhur me paditë e ngritura nga Boiken Abazi dhe Arbër Zaimi, Haxhiu tha se se gjyqtarët nuk e kanë ndërmarrë asnjë hap, edhe pse kanë pasur nga 60 ditë afat ligjor. “Tek rasti i Boiken Abazit, gjykata është dashur që ta zgjidhte çështjen deri më 13 qershor 2016, dhe për rastin e Arbër Zaimit të vendos deri më 21 qershor 2016.
Për këtë arsye, pas kësaj konference, në cilësinë e Kryetares së Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Republikës së Kosovës, do t’i drejtohem Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që të jetë në dijeni për shkeljen dhe abuzimin e të drejtave themelore të mbrojtura me Kushtetutë dhe akte ndërkombëtare.
Do të kërkoj nga KGjK që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, që ta ndalojë mohimin dhe shkeljet brutale të të drejtave të secilit nga ne”, tha në fund Haxhiu.