Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje në fjalën e tij në seancën e sotme plenare tha se për shkak të pushtetit të deri tanishëm, Kosova ka humbur miliona euro.
“Po flas për krimin që është i përzier me pushtetin, i cili bën shkelje të qëllimshme në mënyrë që Kosova të humb miliona euro. Na ka ndodh rasti i pasaportave, i Z mobile, i AXOS-it, dhe i fundit me Bechtel Enka. Thaçi kishte nënshkruar një kontratë skandaloze, që e bëri Kosovën shtetin më të varfër me asfaltin me të shtrenjtë në botë”, ka thënë Konjufca.
Ai i bëri thirrje prokurorisë së shtetit që të hetojë sepse sipas tij ky nuk është krim që duhet të kalohet pa u hetuar.
“Ministri paraprak po ia hedh përgjegjësinë ministrit aktual, por në fakt kjo i takon asaj të kaluarës. Është nënshkruar një kontratë me kushte rigoroze, Kosovës një muaj vonesë i kushton më 14 milionë euro. Janë paguar borxhet e viteve të kaluara por jo edhe ai i vitit 2017. Qeveritarët gabojnë askush s’jep përgjegjësi por populli duhet të paguaj. I bëj thirrje prokurorisë së shtetit të hetoj këtë rast sepse nuk bën ky krim të kaloj pa u hetuar”, tha ai.