Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në konferencë për media pas takimit me homologun nga Belgjika, foli për zhvillimet në dialogun me Serbinë, duke e lidhur situatën aktuale edhe me ngjarjet në Banjskë, raporton Ekonomia Online.
Ai akuzoi Serbinë për sjellje destruktive pas Marrëveshjes së Brukselit dhe për minimin e arritjeve të dialogut.
“Sa i përket dialogut me Serbinë, ju e dini që gjithçka çka ka ndodhë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, e ka pasë formën e sjelljes së qëllimshme destruktive të Serbisë për me i rrënua arritjet e bëra në dialog. Edhe bashkësia ndërkombëtare e ka pasë konsideruar Marrëveshjen e Brukselit si një arritje, si një thyerje të bllokadës së deritashme sa i përket ecjes përpara. E kjo për Kosovën, për neve, e ka pasë formën e njohjes de facto nga ana serbe. Mund t’i keni parasysh klauzolat e marrëveshjes, më të rëndësishmet, prej pranimit të gjithçkaje që prodhon Kosova në kuptimin e jurisdiksionit të saj: dokumenteve, simboleve, pasaportave dhe elementeve kryesore të shtetësisë. Serbia i pranon, po domethënë do të duhej t’i pranojë sipas kësaj marrëveshjeje.
Por ju e keni parë lojën e Vuçiqit. Në momentin që u kthye në Serbi, ia dha goditjen më të madhe kësaj marrëveshjeje. Dhe pas asaj goditjeje që ka ndodhë, i keni parë të gjitha, edhe organizimin e sulmit terrorist të Ibër-Lepencit për shkatërrimin e kanalit tonë dhe për krijimin e kaosit në Republikën e Kosovës”, u shpreh ai.
Konjufca përmendi edhe dëshmi konkrete që, sipas tij, tregojnë për përfshirjen e Serbisë në sulme dhe destabilizim.
“Po ashtu, ju kisha lutur të jeni më të vëmendshëm edhe të bëni analiza më të thella edhe ndaj dëshmisë që e kanë dhënë vëllezërit Viçentijeviç në procesin gjyqësor për Ibër-Lepencin. Ata e kanë pranuar që janë trajnuar prej Serbisë, në hapësirat e Ministrisë së Mbrojtjes edhe të ushtrisë që mbahen atje, prej nga ka hyrë edhe grupi i sulmit në Banjskë me Radoiçiqin. Këta të dy e kanë pranuar që janë trajnuar prej Serbisë për këtë sulm. Çka po doni më shumë? Unë nuk e di çka ka nevojë më shumë për me tregu rolin destruktiv të Serbisë në gjithçka që ajo ka shkatërruar e që është munduar me u ndërtua edhe prej Bashkimit Evropian, edhe prej mes nesh”, thotë ai.
Ai theksoi se dialogu aktualisht ndodhet në një situatë të vështirë dhe se kthimi i besimit varet nga drejtësia për rastin e Banjskës.
“Kështu që, ku ndodhet dialogu sot, për me iu kthyer pyetjes suaj: Dialogu sot ndodhet në një gjendje goxha të vështirë, në një gjendje goxha të vështirë për shkak të kësaj që e kam shpjeguar. Qysh kthehet një farë lloj atmosfere minimale, minimale e mirëbesimit? Nuk po lypi diçka krejt të jashtëzakonshme, po po them minimale. Minimale e mirëbesimit është që kryesit e këtij akti terrorist në Banjskë, të cilët e vranë Afrim Bunjakun, këta duhet me përfundua në burg. Këta duhet me qenë prapa grilave. Këta nuk mund të jenë njerëz kryesorë në Serbi edhe dora e djathtë e Vuçiqit qysh janë sot, edhe qysh i shohim sot që veprojnë në Serbi. Kjo është elementare, kjo është bazike”, u shpreh ai.
Në fund, ai kritikoi edhe qëndrimet zyrtare të Serbisë ndaj integritetit territorial të Kosovës, duke i cilësuar si pengesë serioze për dialogun.
“E dyta, Kryeministri e ka shpjeguar: letra e zonjës Bërnabiq, e cila ishte katastrofike për mirëbesimin. Ju shkruajti 27 shteteve anëtare që nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës. Mos me njoh integritetin territorial të një shteti, kjo kuptohet gati si një shpallje lufte. Është i të njëjtit nivel. Domethënë, nuk të pranon që ekziston si integritet territorial. Këto janë adresuar vazhdimisht me Bashkimin Evropian. Pa u zgjidhur këto, nuk mund të ketë le të themi hapa të mëtutjeshëm”, thotë tutje ai.
