Konjufca pas takimit me Ramën: Ndihma e Shqipërisë është e pazëvendësueshme – Ka lëndim të raporteve

Prishtinë | 06 Kor 2023 | 19:37 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetarit i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas takimit me kryeministrin Edi Rama, para mediave tha se në të gjitha këto procese që është duke i kaluar Kosova, ndihma e Shqipërisë është e pazëvendësueshme, raporton Ekonomia Online.

Në një deklarim për medie, Konjufca tha se kryeministri Rama ishte shumë i shqetësuar për presionin ndërkombëtar ndaj Kosovës.

“Ne biseduam për zhvillimet në vend edhe situatën politike, por po ashtu edhe ndihmën e domosdoshme që e presim nga Republika e Shqipërisë dhe Qeveria Rama. Të gjitha këto procese të vështira që po i kalojmë, ndihma e Shqipërisë është e pazëvendësueshme”.

“Rama mund ta ndihmojë shumë më shumë sesa që po bën këtë aktualisht, Kosovën në këto përpjekje tona të cilat janë shtetërore dhe kushtetuese; janë përpjeke për të vendosur rend edhe ligj në territorin e Kosovës, të mos e shohin Kosovën si fajtore se këtu nuk ka fajtor”.

“Mund të ketë përgjegjësi; përgjegjësia jonë është pozitive. Është përgjegjësi për të ushtruar kushtetueshmërinë tonë elementare në krejt institucionet e vendit”.

Kreu i Kuvendit tha se i tregoi Ramës se kryetarët shqiptarë në veri janë vendosur pa dëshirën tonë. “Unë u mundova ta bindë… Kryeministri Rama ishte shumë i shqetësuar sa i përket presionit ndërkombëtar”.

“Por mua më la përshtypje se ai po e përjeton presionin më shumë sesa ne”, tha Konjufca, duket me një dozë ironie. “Ne nuk kemi probleme”, shtoi ai.

Ai tha se nuk ka hatërmbetje ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, por sipas tij, Kosova është lënduar nga mosmbajtja e mbledhjeve të dy qeverive.

Konjufca po ashtu ka konfirmuar se 13 marrëveshjet që sot janë nënshkruar nga pala shqiptare, janë në proces të nënshkrimit nga ministrat në Kosovë.

“Kurrfarë hatërmbetjeje nuk ka pasur. Nuk e përjashtoj, kafja mund të pihet edhe në kohët e vonshme… Nuk është një acarim ashtu siç po thoni ju i raporteve që të mos takohen fare. Unë do ta kisha përdorur shprehjen ‘lëndim’. Ne kemi qenë të lënduar nga anulimi i mbledhjes së qeverive, por jo aq të lënduar që të mos e presim fare. Kjo do të rregullohet së shpejti, nëse jo sonte. Është dallimi i cili po e dëmton Kosovën kur ne jemi në të drejtën tonë dhe nuk është duke na kuptuar as Republika e Shqipërisë”, tha ai.

Ai ka shtuar se Rama në këtë takim ka ndarë elemente të Asociacionit që ua ka dërguar vendeve të BE-së. Sipas Konjufcës, ai propozim përmbajnë autonomi territoriale për serbët.

“Ai (Rama) pretendon që Asociacioni është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, mirëpo mua mu ka dukur që elemente të caktuar të propozimit të Ramës përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës dhe kjo është në kundërshtim me interesin e kombit shqiptar dhe të popullit të Kosovës”, tha ai.

Të ngjashme