Konjufca përkujton 24 vjetorin e masakrës në Sllovi të Lipjanit

Prishtinë | 15 Pri 2023 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka përkujtuar masakrën në Sllovi të Lipjanit. Ai përkujtoi 45 martirët shqiptarë, të cilët u vranë dhe u masakruan 24 vjet më parë në krimin e gjenocidit të kryer nga ushtria dhe policia serbe.

“Viktima të kësaj ploje mizore qenë burra, gra, të rinj dhe pleq të paralizuar. Hasanin 18 vjeç e ekzekutuan në sy të babait, ndërsa nënë Halimen 84 vjeçare e dogjën të gjallë”, ak shkruar Konjufca.

“Shumicën e kufomave i zhdukën me dhunë dhe i fshehën në Serbi, disa u zbuluan vite më vonë në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit. Ende mungon drejtësia për viktimat e këtij krimi të gjenocidit”, ka shtuar kryeparlamentari Konjufca.

Tutje Konjufca theksoi se dëshmorët, martirët dhe lufta jonë çlirimtare do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e lavdishme kombëtare.

“Janë vetë liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës. Lavdi e përjetshme!”, përfundon ai.

Të ngjashme