Konjufca: Serbia, shumë armiqësore ndaj Kosovës, nuk ka ndryshuar drejtim politik prej kohës së Millosheviqit

Prishtinë | 20 Sht 2022 | 14:25 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se qytetarët e Kosovës e meritojnë që në fund të këtij viti të mos kenë regjim vizash me Evropën. Këtë deklaratë kryekuvendari e bëri pas takimit me homologen e tij nga Shqipëria, Lindita Nikolla, me të cilën kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.

Ai tha se Shqipëria dhe Kosova pavarësisht se janë dy shtete, kanë një interes të përbashkët. Ai theksoi ndër të tjera se Serbia është shumë armiqësore ndaj Kosovës.

“Kontributi e ndihma juaj janë me të vërtetë për t’u vlerësuar dhe çmuar, meqenëse në çdo rast që ju jepet juve, edhe në takime të niveleve të rëndësishme ndërkombëtare e ngrini vazhdimisht çështjen e Kosovës, e mbroni atë që është interes edhe i popullit tonë duke i qëndruar gjithmonë afër popullit të Kosovës dhe interesave tona.

Edhe sa i përket domosdoshmërisë së njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, edhe sa i përket të gjithave iniciativave të Republikës së Kosovës për anëtarësim në institucione të rëndësishme ndërkombëtare e evropiane. Vërtetë jo vetëm Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, por të gjitha institucionet pa dallim të shtetit shqiptar i kanë qëndruar pranë popullit të Kosovës sepse ne jemi dy shtete, ne jemi dy vende, por po aq saktë e dimë që jemi popull me një interes të përbashkët.

Edhe zyrtarët politikë e përfaqësues shtetërore të Republikës së Kosovës, por edhe ata të Republikës së Shqipërisë vazhdimisht kanë vepruar me këtë vetëdije kombëtare, pra duke i artikuluar vazhdimisht dhe duke i mbrojtur ty ku është nevoja interesat tona të përbashkëta të kombit shqiptar”.

“Republika e Kosovës e ka një proces të vështirë përpara që është relacioni me shtetin serb. Serbia e Aleksandër Vuçiq mund të themi që nuk ka ndryshuar drejtim politik, por vetëm i ka ndryshuar mjetet prej kohës së Millosheviqit.

Serbia duhet ta dijë çdo shqiptar që është shumë armiqësore ndaj Republikës së Kosovës dhe këtë nuk e kemi zgjedhur ne.

Këtë e ka zgjedhur elita udhëheqëse politike shtetërore serbe e cila e mohon pavarësinë e Kosovës, e cila e lufton pavarësinë e Kosovës me çdo mjet që ka në dorë, dhe në këto muaj ku po bëheshin përpjekje nga qeveria jonë për realizimin e marrëveshjes së letërnjoftimeve dhe të targave e patë si presidenti i Serbisë Vuçiq nuk heziton fare edhe për ta sfiduar kornizën e sigurisë në Ballkan dhe Evropë përmes kërcënimit të Kosovës dhe dërgimit të trupave të armatosura të kontrolluara prej Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Konjufca

Të ngjashme