Konjufca: Të ndodhë njohja “de facto”, më pas Asociacioni

Prishtinë | 09 Mar 2023 | 08:18 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ani pse dikur shprehej kategorikisht kundër themelimit të “Zajednicës”, ka thënë se Asociacioni duhet të themelohet pas njohjes ‘de facto’ të Kosovës nga ana e Serbisë, nëpërmjet marrëveshjes evropiane.

Konjufca këtë e ka deklaruar për një intervistë për ATV-në, duke thënë se Qeveria Kurti dhe SHBA nuk kanë dallime sa i përket marrëveshjes evropiane.

“SHBA mendoj që për ta bindur Serbinë për nënshkruar marrëveshjen po e theksojnë Asociacionin. S’bon me e themelu Asociacionin para marrëveshjes. Në Ohër duhet me shku me pozicionin tonë. Ndodh njohja ‘de facto’ dhe më pas Kosova ja gjen modusin Asociacionit”, ka thënë i pari i Kuvendit.

Më tej, Konjufca është shprehur pesimist sa i përket pranimit të marrëveshjes evropiane nga pala serbe.

“Ajo çka është e lejushme për Kosovën unë mendoj se mund të ishte vetëm ndonjë lloj dëmtimi abstrakt. Pra, na çka po mundohemi me bë: Kosova përmes një premtimi dhe një instruksioni të Gjykatës Kushtetuese po don me e nxjerrë njohjen de facto. Kurrgjë tu dhënë më shumë sesa Gjykata Kushtetuese na me mujtë me e kapë njohjen ‘de facto’. Kjo nuk do të ndodhë për arsye se Serbia nuk do ta pranojë këtë”, deklaroi ai.

Tutje, ai ka ri-potencuar garancinë e SHBA-së për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe përbrenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Konjufca shprehej kategorikisht kundër dikur themelimit të “Zajednicës”, duke thënë se nuk do të ndodhë kurrë.

Të ngjashme