Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, tha se personat që kanë probleme me ligjin nuk e kanë të vështirë të marrin pozita në Qeverinë Hoti, raporton Ekonomia Online.
Anëtari i kryesisë së VV-së, në një konferencë për media tha se kjo Qeveri s’pati asnjë plan serioz të ballafaqimit me COVID-19.
“Njerëz të tillë, deri te ky i hetuari dhe i dyshuari për bartjen e 130 kilogramëve të drogës, i cili bëhet këshilltar i ministrit të Drejtësisë, të gjitha këto tregojnë se njerëzit që kanë probleme të mëdha me drejtësinë nuk e kanë problem me marrë pozita në qeverinë Hoti”.
“Kjo është një qeveri që i është qasur pandemisë me do të kemi të sëmurë derisa të fillojnë numrat vetvetiu të bien derisa të ngopen.Kjo është arsyeja pse kemi pas numrin e madh të të infektuarve dhe të vdekurve”.
Konjufca, tha se 6 tetori i vitit të kaluar solli një revolucion demokratik në Kosovë, por se ky vullnet qytetar që çoi në opozitë partitë e pozitës deri atëherë u shkel kur u formua Qeveria e Avdullah Hotit.
Por, sipas tij kjo shkelje përfundon nëse Hoti do të ndërmerrte një veprim.
“Avdullah Hoti e ka një shans të shkëlqyeshme t’i ndihmojë Kosovës, të jep dorëheqje dhe t’ia lëshojë vendin vullnetit të lirë të qytetarëve sepse nuk mundet me u vjedhë dhe s’mund të ndërtosh një qeveri që s’e kanë votuar qytetarët”.
Në një vjetorin e zgjedhjeve të gjashtë tetorit, ai ka folur për shkarkimin e ish-ministrit Agim Veliu.
Konjufca ka thënë se ministri Agim Veliu kishte bërë plane të fshehta me presidentin Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Për shkak të planeve të Ministrit të Brendshëm me presidentit, kryeministri nuk pajtohet me ministrin, ekzistojnë faktet që z.Kurti jo thjesht e ka shkarkuar Agim Veliun, z.Kurti ia ka kërkuar edhe një emër tjetër z.Mustafa, është shumë e rëndësishme si fakt, kam dëgjuar shumë nëpër media duke e fajësuar LVV-në apo duke u munduar pak në stilin e pyetjes tuaj a keni ditë apo jo”.
Konjufca ka thënë se tashmë nuk ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme e se presidenti nuk po tenton që t’i marrë kompetencat e Qeverisë.
“LVV-ja është e bindur se kryeministri e ka përgjegjësi kushtetuese në momentin kur nuk pajtohet me një ministër, dhe kur këtë mospajtim nuk e konsideron të vogël dhe i cili mund të fshihet nën tepih që është fundamental për një çështje që ka interes edhe presidenti siç ishte marrja e kompetencave të Qeverisë. Tash nuk ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme, e ka kryeministrin e vet”.