Konkursi për Kryeprokuror të Shtetit, Prokuroria sheh tendencë për dëmtim të reputacionit profesional

Prishtinë | 01 Qer 2026 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka reaguar ndaj publikimeve të fundit mediatike, duke i cilësuar ato si pretendime të pabazuara që, sipas saj, dëmtojnë integritetin profesional dhe krijojnë perceptime të gabuara në opinionin publik.

Në reagimin e saj, Prokuroria thekson se bëhet fjalë për një çështje që është trajtuar dhe mbyllur nga institucionet kompetente për shkak të mungesës së bazës ligjore për veprime të mëtejme.

“Publikimet e fundit të BIRN dhe Kallxo.com përmbajnë pretendime të pabazuara, që cenojnë integritetin tim profesional dhe krijojnë një perceptim të rremë në opinion publik”.

Sipas saj, riaktualizimi i kësaj teme në periudhën kur është hapur konkursi për Kryeprokuror të Shtetit ngre dyshime se qëllimi kryesor i raportimeve nuk është informimi i publikut, por dëmtimi i imazhit dhe reputacionit profesional.

“Raportimi që mbështetet në insinuata dhe interpretime të njëanshme, duke anashkaluar vendimet zyrtare të institucioneve përgjegjëse, nuk i shërben transparencës dhe as interesit publik”, thuhet në reagim.

Prokuroria vlerëson se raportime të tilla krijojnë perceptime të padrejta dhe cenojnë besimin në proceset institucionale.

Në reagim përmenden gjithashtu shqetësimet e vazhdueshme lidhur me përfshirjen e mediave në veprime operative të organeve të ndjekjes, si dhe memorandumet e bashkëpunimit që, sipas Prokurorisë, mund të krijojnë perceptimin e një qasjeje të privilegjuar në informacione apo procedura hetimore.

Më tej, Prokuroria thekson se mbetet e përkushtuar ndaj ushtrimit të detyrës në përputhje me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe standardet më të larta profesionale.

“ Nuk kërkojmë trajtim të privilegjuar dhe as mbrojtje nga kritika publike. Megjithatë, presim që çdo raportim të jetë i balancuar, i drejtë dhe i mbështetur në fakte të verifikuara”, thuhet në reagim.

Prokuroria u bën thirrje qytetarëve që këtë çështje ta vlerësojnë mbi bazën e fakteve, procedurave dhe vendimeve zyrtare të institucioneve kompetente, e jo mbi narrativat e krijuara në hapësirën publike.

Të ngjashme