Glauk Konjufca është kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës. Për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjen e Konjufcës në krye të këtij institucioni kanë raportuar edhe mediat e mëdha botërore.
Kanali televiziv ndërkombëtar, Al Jazeera, ka shkruar se Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Konjufcën kryetar. “Glauk Konjufca u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Kosovës”, thuhet në titullin e këtij mediumi, ndërsa në krye të tekstit thuhet se ka shumë mundësi që sot të formohet edhe Qeveria e re.
Raportimi i Al Jazeera-s
Agjencia amerikane e lajmeve, Associated Press ka reaportuar për zhvillimet më të rëndësishme të ditës në Kosovë, duke e titulluar raportimin kështu: Fillon parlamenti i ri i Kosovës, pritet votimi i qeverisë së re.
Raportimi i Associated Press
Po kështu ka raportuar edhe gazeta e përditshme amerikane, San Francisco Chronicle.
Raportimi i San Francisco Chronicle
Edhe një transmetues i shërbimit publik kombëtar austriak ka raportuar për këto ngjarje.
“Ish-ministri i Jashtëm Konjufca, Kryetar i ri i Parlamentit”, thuhet në titullin e “Österreichischer Rundfunk”.
Për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka shkruar edhe Swissinfo.ch, platforma e lajmeve dhe informacioneve në dhjetë gjuhë të botës, e prodhuar nga Korporata Transmetuese Zvicerane.
“Konstituohet Parlamenti i ri i mbizotëruar nga e majta”, thuhet në titullin e këtij mediumi.
Me 69 vota pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit. Në orën 16:00, pritet të mbahet seanca për votimin e Qeverisë së re, që pritet të udhëhiqet nga Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.