Konstituimi i Kuvendit, Zogaj: Nuk kemi informacione, duhet të presim zhvillimet e dy javëve të ardhshme

Prishtinë | 22 Kor 2026 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë në fillim të muajit gusht, pak para skadimit të afatit kushtetues më 7 gusht 2026. Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se vendimi për të mos e caktuar më herët seancën konstituive është marrë për t’u dhënë kohë shtesë partive politike që të diskutojnë për një marrëveshje rreth formimit të institucioneve të reja.

Në këto diskutime përfshihen zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, formimi i qeverisë dhe çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, pasi pas konstituimit të Kuvendit fillojnë afatet kushtetuese për këtë proces.

Ndërkohë, përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike ende nuk kanë dhënë rezultat konkret. Thirrjet për bisedime nga LVV-ja nuk kanë sjellë pajtim mes partive, ndërsa zhvillimet e brendshme në LDK kanë ndikuar në procesin e negociatave.

Tashmë vëmendja mbetet te ditët në vijim, kur partitë duhet të vendosin nëse do të arrijnë një marrëveshje për zhbllokimin e situatës politike apo vendi do të përballet me një tjetër ngërç institucional.

Alban Zogaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovs, ka thënë se aktualisht nuk kanë informacione konkrete lidhur me datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe zhvillimet që mund të pasojnë në ditët në vijim.

Zogaj ka deklaruar se duhet të priten zhvillimet e periudhës së ardhshme për të parë nëse do të ketë ndonjë lëvizje politike apo marrëveshje mes subjekteve.

“Nuk kemi asnjë info në këtë drejtim. Duhet të presim dhe të shohim zhvillimet e dy javëve të ardhshme”, ka deklaruar Zogaj.

Të ngjashme