Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin konstituues të Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës.
Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi e Ramiz Kelmendi, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, vëzhguesit ndërkombëtarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe KFOR-i, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe ai i Komunës së Istogut, Haki Rugova, përfaqësues të institucioneve tjera kompetente që do të jenë në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Mustafa, me këtë rast theksoi se Qeveria nuk do të jap udhëzime se si të punojë Komisioni duke qenë se ai është profesional dhe do ta ketë plotësisht në kompetencë dhe përgjegjësi të tij që të përcaktojë kriteret, metodologjinë dhe teknikat e matjes së territorit të Republikës së Kosovës.
“Raporti, të cilin ju do ta bëni përfundimisht, do ta aprovojë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe me këtë raport pastaj do ta njoftojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj lidhur me territorin që e kemi tani dhe territorin që e kemi pasur para datës 25 gusht të vitit 2015”, tha kryeministri Mustafa.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Hivzi Islami u zotua në punë të paanshme dhe profesionale të Komisionit.
“Ky Komision nuk do të merret me shkaqet dhe efektet politike të kufijve, me markim ose demarkim të tyre, as me aspekte tjera. Komisioni ka për detyrë vetëm të bëjë matjen e territorit të Republikës së Kosovës, përkatësisht të secilës zonë kadastrale dhe komunë administrative.
Komisioni do të qëndroj larg ndikimeve dhe animeve politike, partiake, të grupeve të interesit, sikurse që do të lë anash emocionet, patetizmin, folklorin, irracionalitetin. Neve na duhet këtu, në këtë moment, vetëm profesionalizmi. Në këtë çështje, si edhe në shumë çështje tjera me rëndësi kombëtare dhe shtetërore, është shumë i nevojshëm, më se i nevojshëm konsensusi i plotë i të gjitha forcave politike dhe institucioneve profesionale, shkencore dhe shoqërore të Kosovës”, tha Akademik Islami.
Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, gjatë takimit ka vendosur që të funksionoj në dy grupe punuese, organizativ dhe profesional.
Grupi organizativ do të merret me krijimin e kushteve teknike të punës, në bashkëpunim me Sekretariatin Koordinues të Qeverisë në Zyrën e Kryeministrit, pastaj me mbledhjen dhe sistemimin e materialit që do ta sjellin përfaqësuesit organizatave dhe agjencive, do të organizojë ballafaqimin e ekspertëve nga institucionet e ndryshme pas punës së profesionistëve të tyre, si dhe me çështje tjera organizativo-administrative deri te hartimi i Raportit final.
Grupi Profesional ka për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe gjithë dokumentacionin zyrtar vetëm nga institucionet përkatëse, ku përfshihen të gjitha llojet e të dhënave dhe fakteve: kadastrale, hartografike, statistikore, shkencore dhe menaxheriale të institucioneve të KSAK (deri në vitin 1988) dhe të Republikës së Kosovës (pas vitit 2008).