Të martën është konstituuar Komisioni Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, që ndryshe njihet edhe si Komisioni i Vettingut. Detyrë e këtij Komisioni do të jetë administrimi i gjithë procesit të vettingut në drejtësi, raporton Ekonomia Online.
Si rrallë herë, pozitë e opozita u pajtuan, edhe për konceptin e edhe për mbarëvajtjen e punës së këtij Komisioni. Problem për ta po del sigurimi i votave nga Lista Serbe.
Kryetari i këtij Komisioni, Kujtim Shala i LDK-së, propozoi një grup punues prej 3 persona për të diskutuar për mbarëvajtjen e këtij Komisioni.
“Më kanë kontaktuar përfaqësues të zyrave në Kosovë që të takohen me mua. Propozoj që të kemi njëlloj bashkëpunimi të përhershëm. Ne i ftojmë të gjitha zyrat ndërkombëtare në Kosovë si zyra e BE-së etj”, tha Shala.
Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, tha se duhet të fillojnë me hartimin amendamenteve Kushtetuese.
“Mendoj që ne duhet të fillojmë me hartimin e amendamenteve kushtetuese, por mendoj qe duhet ta ndërtojmë një plan të punës. Pasi që ta hartojmë dhe për sa kohë qe Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosë ende, ta shfrytëzojmë kohën të punojmë në draft ligjin. Ne jemi të vetëdijshëm për procedurën. Derisa Gjykata Kushtetuese nuk ka afat të caktuar të shqyrtimit. Jam dakord për bashkëpunimin e te gjithë aktereve gjë që e pasuron këtë proces”, tha ai.
Deputeti tjetër i VV-së, Dimal Basha, tha se interesi i publikut është tek vettingu në drejtësi.
“Jemi dakorduar si parti që ne me e ndihmu procesin e drejtësisë, për shkak se njerëzit vuajnë nga padrejtësia. Sa here që mblidhemi në Kuvend, dikush ka punë tjera. Nuk e di kush e ka vendosur emërtimin, mendoj qe interesi i publikut është tek vettingu i drejtësisë jo tek ky emërtim i komisionit”, tha ai.
Të njëjtit mendim është edhe deputetja e LDK-së, Daorsa Kica-Xhelili, veçse kjo ka një hall tjetër. Atë për sigurimin e votave nga Lista Serbe.
“Jam dakord me prakticitetin e punës e kemi vetëm një problematike të vogël, të cilën e rekomandoj Adnani që të punojmë paralelisht. Mendoj që është tejet e rëndësishme ta dimë se si ne do ta fitojmë votën e listës serbe. Duhet te marrim çdo hap që ta marrim votën nga Lista Serbe, që fatkeqësisht na duhet”, tha ajo.
Ndërsa deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se qëndrimi i partisë së saj është që vettingu të fillojë punën sa më shpejt. Këtë tha se kanë kërkuar qëmoti.