Presidenti Hashim Thaçi të martën nuk ka bërë asnjë lëvizje për t’i konsultuar partitë politike dhe koalicionin fitues, nëse do të propozojnë mandatar tjetër pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj.
Edhe pse Kushtetuta saktëson veprimet që duhet t’i ndërmarrë shefi i shtetit, nuk ka një afat kohor se deri kur ai mund t’i zhvillojë konsultat, shkruan sot “Koha Ditore”.
Derisa njohës të Kushtetutës thonë se situata është më e rëndë se kur kryhet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve pasi boshllëku kushtetues lejon mundësi abuzimi të pafund, opozita ka paralajmëruar veprime të tjera nëse presidenti nuk i cakton zgjedhjet.
“Nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thotë neni 95.5 i Kushtetutës.
Enver Hasani është mësimdhënës në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës dhe ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Duke iu referuar këtij neni, ai thotë se “Kushtetutat shpeshherë nuk dhënë përgjigje në gjëra të imëta, të vogla, që supozohet se i dinë organet kushtetuese”. Sipas tij, këtë dije këto organe kushtetuese e mësojnë nga përvoja e kaluar, dhe këto përvoja quhen zakone kushtetuese, të cilat normojnë sjelljet e organeve dhe subjekteve kushtetuese. I tillë është edhe ky rast, sipas Hasanit.