Pandemia goditi gjithë globin, prandaj pa prekur nga kjo situatë e krijuar nuk mbeti as Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina“.
Kreyshefi i KRU “Prishtina“, Sokol Xhafa në një intervistë për Ekonomia Online, tha se pandemia ka qenë sfidë e madhe për arritjen e objektivave të ndërmarrjes.
Megjithatë, ai theksoi se kanë arritur që t’i furnizojnë të gjithë qytetarët me ujë.
“Viti 2019 ka qenë vit që është përcjell me thatësi por fatkeqësia është që viti 2020 na goditi me dy sfida të rënda për ndërmarrjen tonë. Sfida më e madhe që pamë gjatë vitit 2019 dhe na përcolli gjatë vitit 2020 ishte çështja e thatësisë dhe mungesës së reshjeve në përgjithësi mbi territorin tonë. Kjo rezulton me rënien e nivelit në të dy liqenet tona dhe nga marsi pandemia goditi tërë globin edhe Kosovën e që po vazhdon e do të vazhdojë edhe për një kohë”.
“Pjesa e menaxhimit të burimeve të ujit ka qenë diçka që pavarësisht mungesës së reshjeve kemi praktika të mira të menaxhimit të tyre, por pjesa e pandemisë ka qenë sfida më e madhe në shumë arritje të caqeve ose vetë vazhdimësisë së ndërmarrjes. Mirëpo fatmirësisht deri më tani ja kemi dalë mbanë. E mira është që jo vetëm ne si kompani por edhe të gjitha kompanitë rajonale të ujësjellësit kanë arritur që qytetarët të furnizohen me ujë dhe kjo ka ofruar një siguri që gjatë kohës së pandemisë mos ta ndjejnë këtë mungesë të ujit”.
“Jemi në projekte tenderuese me projektin më të madh në sektorin e ujërave të ndotura për impiantin që do të bëhet për Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Graçanicë i cili projekt është siguruar nga qeveria e Kosovës përmes qeverisë franceze një fond prej 66 milionë euro dhe 20 milionë euro fond lokal që janë 86 milionë euro në total. Pjesa investive do të fillojë në vitin vijues dhe tani jemi në faza të tenderimit për konsulentë”.
Për shkak të mungesës së reshjeve, Xhafa theksoi se të dy liqenet, ai i Batllavës dhe Badovcit kanë pasur nivele relativisht të ulëta të ujit.
Mes tjerash, ai potencoi se impiantin në Shkabaj ofron siguri të mjaftueshme me ujë. Por sipas tij, edhe nëse Kosova gjendet në situata të vështira alternativa tjetër është që liqeni i Badovcit të furnizohet nga Ujmani.
“Të dy liqenet akumuluese gjatë tërë vitit kanë pasur nivele relativisht të ulëta dhe shkaku kryesor ka qenë mungesa e reshjeve. Sigurisht edhe konsumi i madh në amvisëri. Aktualisht niveli i liqenit në Badovc shënon -11.5 metra nga kuota e kapërderdhjes ndërsa Batllava është -5. 86 metra nga kjo kuotë. Vërtetë janë nivele të ulëta por kanë filluar reshjet dhe po shpresojmë që shumë shpejt të përmirësohet situata”.
“Ne kemi impiantin Shkabaj që ofron siguri të mjaftueshme për sigurim me ujë edhe nëse gjendemi në situata të vështira prapë kemi alternative me të cilat kemi mundësi që pjesën e liqenit të Badovcit të marrim ujë nga liqeni i Ujmanit ndërsa pjesa e liqenit të Batllavës është një liqen që ka pellg të madh dhe ofron një stabilitet të furnizimit me ujë. Me këtë i sigurojë banorët që nuk do të ketë reduktime të ujit gjatë vitit 2021 përveç nëse ndodh diçka e jashtëzakonshme të menaxhimit të situatave emergjente”.
Xhafa tha se kanë filluar me rastet përmbarimore duke dërguar mbi 250 lëndë, sepse një pjesë e borxhëlinjëve nuk kanë reflektuar dhe shuma e borxhit ka arritur në 45 milionë euro.
Ai tha se gjatë këtij viti të gjithë qytetarët që kanë pasur borxhe janë kursyer nga shkyçjet, duke u mundësuar riprogramim të borxhit, raporton EO.
“Ne si ndërmarrje nuk kemi pasur përvojë në përmbarime ka qenë një menaxhim mbase jo i mirë më herët. Menjëherë pas marrjes së menaxhmentit të ri në ndërmarrje ne kemi analizuar të gjitha rastet përmbarimore duke marrë shkas që pandemia ka goditur ekonomitë familjare dhe bizneset ne i kemi kursyer jashtëzakonisht shumë kemi bërë lehtësira për ta duke ofruar mundësi të riprogramimit të borxhit nga 30% që ishte për amvisëri dhe 50% në biznese. Rastet përmbarimore i kemi filluar dhe kemi dërguar mbi 250 lëndë dhe do të vazhdojmë edhe me 250 të tjera dhe pavarësisht që i kemi kontaktuar një pjesë të borxhëlinjëve që kanë borxhe të mëdha nuk kanë reflektuar”.
“Ata që nuk kanë reflektuar do t’i dërgojmë te përmbaruesi sepse borxhi është 45 milionë euro borxh i akumuluar. Ndërsa gjatë këtij viti i kemi kursyer nga shkyçjet. Në momentin që mbaron pandemia do të jemi të shtyrë të bëjmë diçka të tillë ani pse te ne është masa e fundit që ne marrim në rastet kur nuk ka reflektim për pagesa atëherë na obligon që të ekzekutojmë shkyçje dhe në momentin që shkyçen ekzistojnë taksa shtesë që i shtohet barra të gjithëve sa i përket borxhit. Andaj të bëjnë riprogramimin e borxheve dhe të evitojnë procedurat përmbarimore”.
Ai foli edhe sa i përket pjesës së projekteve, duke shtuar se në përgjithësi kanë realizuar projekte kyçe që kanë të bëjnë me sistemet e tubacioneve.
Xhafa tha se për vitin 2021 do të investojnë 1.4 milion euro. Sipas tij, investimet gjatë vitit të ardhshëm do të jenë më shumë të përqendruara te pjesa e kolektorëve të ujërave të ndotur.
“Ne si kompani përmes buxhetit tonë vetanak çdo vit investojmë 1.4 milion euro në investime totale. Ne bëjmë edhe kthimin e kredisë te Banka Gjermane të cilën e kemi marrë në vlerë prej 20 milionë eurosh dhe tani kemi paguar mbi 70%. Kjo do të thotë që paguajmë 2.9 milionë euro në vit. Por nëse marrim kredinë si tersi kjo shkon mbi 4 milionë euro investime kapitale të përvitshme. Sa i përket pjesës së projekteve në përgjithësi kemi realizuar projekte kyçe që kanë të bëjnë me sistemet e tubacioneve. Sigurisht një pjesë e tyre janë shtyrë për shkak të rekomandimeve të Qeverisë për shkak të pandemisë me qëllimin që të ruajmë stabilitetin ekonomik të vetë ndërmarrjes kur dihet që inkasimet kanë rënë jashtëzakonisht shumë si pasojë e pandemisë në këtë vit. Kjo na ka bërë që të rezervohemi pak në pjesën e investimeve kapitale, por asesi nuk jemi ndaluar dhe po vazhdojmë me projekte investive”.
“Për vitin 2021 kemi 1.42 milion euro investime fond vetanak. Do të paguajmë edhe pjesën tjetër të kredisë. Investimet në vitin vijues do të jenë më shumë të përqendruara te pjesa e kolektorëve të ujërave të ndotur. Aty kemi arritur të sigurojmë një donacion prej KFV-së përmes qeverisë gjermane dhe Unionit Evropian në vlerë prej 1.95 milionë euro dhe do të bëhet pjesa e fizibilitetit për pjesën Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq e Graçanicë për kolektorë të ujërave të ndotur si dhe do të bëhet master plani për tetë komunat që ne shërbejmë”.