Konsumimi i drogës po zë rrënjë, kapen disa të rinj me drogë në Prishtinë, Ferizaj e Vushtrri

Prishtinë | 21 Shk 2023 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë, të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Sinjali mëson se Policia ka arritur të arrestojë disa persona që janë kapur me substanca narkotike, në Prishtinë, Ferizaj e Vushtrri.

Fillimisht, Sinjali mëson se në rrugën “Zahir Neziri”, në Ferizaj, Policia ka ndaluar 32-vjeçar, nën dyshimet se posedon gjësende të kundërligjshme. Gjatë kontrollit nga ana e Policisë, në veturën e të riut është gjetur një substancë narkotikë, e llojit marihuanë. Droga është sekuestruar nga zyrtarët policorë teksa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope apo analoge”.

Ndërkohë edhe në Prishtinë, Policia ka kapur në flagrancë një 22-vjeçar, i cili u ndalua të hënën në mbrëmje. Pas kontrollit te i dyshuari, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të drogës, që më pas është sekuestruar.

Kurse rasti tjetër në Prishtinë, u zbulua po ashtu mbrëmë në rrugën “Hajdar Dushi’’, ku një 24-vjeçar e zuri sherri me Policinë. Ai u kap në flagrancë pasi Policia ia gjeti në xhep substancën narkotike, të llojit marihuanë. Edhe në këtë rast, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që të iniciohet rasti ndaj të dyshuarit.

Teksa në Vushtrri, është kapur një i mitur, pas mesnate, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, ku i njëjti u ndalua nga Policia. Te i dyshuari 16-vjeçar, zyrtarët policorë kanë gjetur një mjet për përpunimin e drogës, si dhe një qese me marihuanë. Për shkak të posedimit të drogës, Policia ka shoqëruar të miturin në stacion policor, ku është intervistuar dhe më pas është lënë i lirë.

Të ngjashme