Komuna e Prishtinës pas gati 2 vjetësh që nga blerja e 51 autobusëve nga kompania çeke “Iveco” jep arsyetimin e ri se përse ende nuk ka ardhur kontingjenti i dytë prej 21 autobusësh, pasi që 30 të parët kanë mbërritur në fillim të 2017-s.
Ardhja e kontingjentit të dytë të autobusëve të rinj tashti po proklamohet se ka mbetur peng i nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Komunës së Prishtinës dhe “Trafikut Urban”, që është kusht i vënë nga Banka Evropiane e Rindërtimit dhe Zhvillimit (BERZH), por që pritet të arrihet së shpejti, shkruan sot “Koha Ditore”.
Këtë ia ka konfirmuar KD-së Genc Bashota, drejtor i Planifikimit Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, duke thënë se mbërritja e autobusëve të rinj është çështje javësh.
Ndërkohë, që deri tashti janë dhënë arsyetime të tjera, ku vazhdimisht ka dominuar ai për rregullimin e garazheve për autobusët e rinj për finalizimin e këtij procesi. Përderisa drejtues të Komunës patën premtuar se ata do të mbërrinin pranverën e vitit të shkuar, ndërkohë që datat vazhdimisht janë shtyrë.