Kontrabanda me mallra, s’ka të arrestuar

Prishtinë | 22 Shk 2017 | 15:53 | Nga

Policia e Kosovës bën të ditur se nga aksioni i sotëm për bastisjet që janë bërë në disa lokacione, nuk është arrestuar asnjë person. Ndërkaq operacioni që filloi në rajonin e Mitrovicës është zgjeruar edhe në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, gjegjësisht në 7 (shtatë) lokacione të ndryshme.
“ Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO) me datën 22.02.2017 ka asistuar Doganat e Kosovës në një operacion kontrolli, nën dyshimin e përfshirjes në veprën penale ‘kontrabanda me mallra’. Operacioni policor i filluar në rajonin e Mitrovicës është zgjeruar edhe në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, gjegjësisht në 7 (shtatë) lokacione të ndryshme:, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia bën të ditur se gjatë operacionit policor janë kontrolluar katër shtëpi banimi si dhe objektet përcjellëse të tre personave të dyshuar si dhe tri subjekte afariste. Në këtë operacion policor nuk është arrestuar asnjë person.

Operacioni është udhëhequr dhe realizuar nga Doganat e Kosovës, e asistuar nga DHKO-ja, ATK-ja dhe mbështetje kanë ofruar edhe njësitë policore: Njësia Speciale Operative (NJSO-ja) dhe Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH-të) të DRP Mitrovicë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: një telefon celular, tri sim- kartela dhe disa dokumentacione të ndryshme që mund të shërbejë në procedura të mëtejme. Po ashtu është gjetur dhe konfiskuar edhe mall i padeklaruar. Me procedura të mëtejme do të merren inspektorët nga ATK-ja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme