Komuna e Gjilanit, e Vitisë dhe ajo e Kllokotit vazhdojnë ta shpenzojnë buxhetin komunal me angazhimin e punëtorëve me kontrata mbi vepër.
Procesi i rekrutimit të punëtorëve me kontrata të përkohshme është njëlloj kundërvënieje ndaj Ministrisë së Financave, e cila nuk lejon rritjen e numrit të personelit, shkruan sot Koha Ditore.
Komunat vlerësojnë se kanë nevojë që të angazhojnë punëtorë duke përdorur këtë formë, ngase duhet që të ofrojnë shërbime për qytetarët. Komuna e Gjilanit edhe këtë vit do të angazhojë punëtorë me kontrata të përkohshme të cilët do të ofrojnë shërbime shëndetësore për qytetarët. Vitin e kaluar Komuna kishte angazhuar 119 punëtorë me kontrata për shërbime të veçanta dhe një pjesë të tyre Komuna i kishte mbajtur në punë më shumë se 6 muaj, që është në kundërshtim me dispozitat ligjore.