Kontrolle në Vërmicë për Coronavirus, sidomos për ata që vijnë nga Italia

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 19:26 | Nga Ekonomia Online

Familja 4-anëtareshe Qafleshi ka mbërritur të martën paradite në Kosovë nga Italia.

Ata kanë udhëtuar me veturë nga shteti tashmë i izoluar shkaku i koronavirusit, derisa me të mbërritur në pikën kufitare në Vërmicë janë kontrolluar nga ekipet mjekësore.

Rezultatet e tyre dolën negative, por ata tregojnë për gjendjen alarmante që kanë lënë pas në Itali, derisa me rekomandim të mjekëve u lejuan të kalojnë kufirin.

Mjekët të cilët janë duke kontrolluar udhëtarët thonë se është rritur numri i qytetarëve që po kthehen nga Italia në Kosovë.

Sipas tyre, ka rreth 1 muaj që ka mjekë në këtë pikë dhe që vazhdimisht janë kujdesur për udhëtarët që kanë hyrë në Kosovë.

E në Drejtorinë e Shëndetësisë në qytetin kufitar të Prizrenit, kanë thënë se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Të martën në Shqipëri numri i të infektuarve me koronavirus ka shkuar në 10, derisa rastet e para pozitive u konfirmuan më shumë se 1 javë pasi qytetarët shqiptarë erdhën nga Italia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme