Gjermania, Austria dhe disa vende tjera të BE-së në zonën Shengen, po bëjnë kontroll të kufijve.
Parlamenti Evropian është shumë i pakënaqur që Austria dhe vendet e tjera po ri-kontrollojnë kufijtë e brendshëm.
Ndërsa refugjatët kërkojnë për rrugë të reja në Ballkan, Austria do të intensifikojë kontrollet kufitare.
“Rivendosja e kontrolleve të kufirit të brendshëm nuk duhet të bëhet status quo i përhershëm”, thotë një rezolutë që do të miratohet të mërkurën në Parlamentin Evropian në Strasburg.
Zona Shengen është një nga arritjet më të mëdha të Bashkimit Evropian dhe një pjesë themelore e projektit evropian, shkruan Die Presse.
Gjatë një debati në Parlamentin e BE-së, iu kushtua vëmendje edhe pasojave ekonomike të situatës aktuale ku u tha se: kontrollet kufitare pengojnë lëvizjen e lirë të personave, mallrave dhe shërbimeve brenda BE-së. Kjo ka implikime për trafikun ndërkufitar të mallrave, turizmit dhe komunikacionit. 1.7 milion punonjës në ditë kalojnë kufi në rrugën e tyre për të punuar. Ekzistojnë shpenzime administrative dhe infrastrukturore për sektorin publik.
Marrëveshja Shengen u miratua në vitin 1985 me qëllim të krijimit të një zone pa kufij brenda BE-së. Kontrollet e pasaportave dhe kufijve ndërmjet shteteve anëtare janë hequr. Austria u bashkua me Marrëveshjen e Shengenit në dhjetor 1997.
Në vitin 2015 Gjermania paraqiti kërkesë për të kontrolluar fluksin masiv të refugjatëve, pas së cilës Austria filloi inspektime, veçanërisht në kufirin me Hungarinë dhe Slloveninë. Franca, Danimarka, Suedia dhe Norvegjia ndoqën shembullin.