Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, është takuar me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Hoti e Ahmeti biseduan për Programin Nacional për Rininë dhe mbarëvajtjen e garave në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik. “Programi Nacional për Rininë u ofron të gjithë nxënësve pa dallim mundësinë të jenë pjesë e garës në kreativitet kulturor e mendim kritik, në dituri dhe sport. Nga rezultatet që kemi nga shkollat e Komunës së Prishtinës, mbi 50 shkolla e kanë përfunduar garën në nivel shkollë dhe ky është një rezultat shumë pozitiv. Në nivelin komunal pres nga ju që të mbështesni Drejtorinë Komunale të Arsimit sepse ka një numër të madh të nxënësve fitues”, tha Hoti.
Ndërsa, Ahmeti shprehu gatishmërinë e tij për ta mbështetur Programin Nacional për Rininë.
“Unë e kam lexuar programin dhe ju përgëzoj për punën që keni bërë dhe ju them se e keni përkrahjen time për çkado që të jetë nevoja. Edhe fëmijët e mi janë bërë pjesë e kësaj gare prandaj po e shoh efektin e saj nga afër. Gara është motivim shtesë për fëmijët dhe unë i përkrah shumë aktivitetet ekstrakurikulare”, tha Ahmeti.
Në këtë takim, të pranishëm ishin edhe Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku dhe Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të cilët theksuan mbështetjen e ministrive që përfaqësojnë për Programin Nacional për Rininë.
Garat në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik në nivel komune mbahen nga 30 marsi deri më 13 prill.