Hoti nis bashkëpunimin me institucionet e arsimit të lartë

Prishtinë | 01 Shk 2019 | 19:02 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të zyrtarizimit të bashkëpunimit me institucionet e larta për përfshirjen e studentëve në Programin Nacional për Rininë, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti, nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Rektorin e Kolegjit AAB, Lulzim Tafa.

Ky program parasheh përfshirjen e rreth 110.000 studentëve nga të gjitha universitetet dhe kolegjet e Kosovës në garën e sportit dhe kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik.

“Programi Nacional për Rininë është hartuar ekskluzivisht për nxënës dhe studentë i cili do t’u krijojë atyre hapësirën dhe frymën garuese që deri më tani u ka munguar. Për herë të parë një program i tillë është hartuar në nivel qeveritar, çka do të thotë se qeveria ka kthyer vëmendjen aty ku duhet. Studentët do të kenë mundësi të tregojnë aftësitë e veta sportive e kreative dhe më të mirët e këtyre fushave do të shpërblehen”, tha Koordinatori Hoti.

E rektori Tafa u shpreh i lumtur që në cilësinë e rektorit po e përkrah një program që qeveria u ofron studentëve.

“Ne jemi të gatshëm ta mbështesim këtë program i cili sigurisht se do t’i ndihmojë studentët tanë dhe do të ndikojë pozitivisht tek ata. Do të ju përkrahim edhe në mënyrë vullnetare për aktivitetet e juaja edukative për nxënës dhe studentë”, theksoi  Tafa.

Në takim Hoti u shoqërua nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Leonora Morina-Bunjaku si dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri. Ata dhanë mbështetjen e ministrive që përfaqësojnë për Koordinatorin Hoti duke thënë se presin që ky program të ndikojë pozitivisht në ngritjen e cilësisë në arsim.

Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar ndërmjet Koordinatorit Hoti dhe Rektorit Tafa, përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programit Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me përfshirjen e studentëve në garat e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe të sportit.

Të ngjashme