Koordinatori Hoti viziton Klinën dhe Drenasin

Prishtinë | 31 Tet 2019 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Në Komunën e Klinës sot në takim pune u prit Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, nga Kryetari Zenun Elezaj. Hoti njoftoi kryetarin rreth të arriturave të kësaj komune në garat nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe për procesin aktual të zhvillimit të garave.

“Klina ka qenë ndër komunat që ka ndihmuar shumë në realizimin e garave dhe kjo është shpërblyer me suksesin që keni arritur. Ne jemi duke u ofruar mundësi të gjithë nxënësve që të tregojnë atë që dinë të bëjnë më së miri dhe jemi duke mbajtur premtimet e dhëna në raport me nxënësit për shpërblimet që janë paraparë. Pres që në këto gara Klina të jetë edhe më e përkushtuar dhe të dalë edhe më e fuqishme”, tha Koordinatori Hoti.

Nga ana e tij, kryetari Elezaj tha se do t’i qëndrojë besnik marrëveshjes së nënshkruar me Koordinatorin Hoti duke ofruar mbështetjen e tij për programin. “Unë që nga fillimi kam thënë se është një projekt madhor. Nuk kam hezituar të mbështes punën tuaj sepse është për nxënësin, dhe unë do të punoj gjithmonë për të mirën e nxënësit”, tha Kryetari Elezaj. Edhe udhëheqësi i detyrës së drejtorit komunal të arsimit, Hajdin Morina, theksoi se janë duke punuar në drejtim të realizimit të garave sipas planit të veprimit.

Për zhvillimin e garave nacionale në sport e kreativitet u bisedua edhe në Drenas ku Koordinatori Hoti u prit në takim nga Nënkryetari i komunës Nazmi Hasi, Drejtori i Arsimit, Tafil Halilaj dhe Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Shqipe Zogu.

Aty Koordinatori Hoti vlerësoi lartë pjesëmarrjen e nxënësve të kësaj komune ku në të gjitha garat u shpallën 2336 fitues ndërsa shtoi se i gjithë ky rezultat nuk mund të arrihej pa angazhimin dhe punën zyrtarëve të DKA-së, mësimdhënësve dhe prindve.

I kënaqur me garën është ndarë edhe nënkryetari Hasi. “Impakti i këtyre garave tek ne ka qenë edhe më i madh se vetëm në Kosovë sepse nxënësit tanë kanë arritur të dalin të parët edhe në garat ndërkombëtare në Austri. Duke parë efektet pozitive që janë arritur dhe përfitimet që kanë pasur nxënësit, nga komuna e Drenasit ju them që keni mbështetjen absolute për gjithçka që do të ketë nevojë për mbarëvajtjen e garës”, tha Hasi.

Edhe Drejtori i Arsimit, Tafil Halilaj, i cili falënderoi koordinatorin Hoti për organizimin dhe angazhimin, duke shprehur gatishmërinë e DKA-së për vazhdimin e mbështetjes së programit tregoi se janë duke bërë përgatitjet e nevojshme për një proces të mbarë për garën në vazhdim.

Të ngjashme