Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti, ka zhvilluar sot zhvilloi takime me menaxhmentin e institucioneve edukative-arsimore në Komunën e Gjakovës dhe Prizrenit, transmeton Ekonomia Online.
Fillimisht Koordinatori Hoti vizitoi shkollën “Fehmi Agani” në Gjakovë ku nga drejtoresha e shkollës u njoftua rreth garave që janë duke u zhvilluar sipas planit të veprimit të Programit Nacional për Rininë.
Nga aty Hoti theksoi rëndësinë e garave duke thënë po ashtu se arsimi duhet të jetë prioritet i çdo qeverisjeje. “Nëse prioritet i kryeministrit të ardhshëm do të jetë arsimit, pa dyshim se edhe këto gara do t’i marrë shumë seriozisht sepse ne tashmë kemi dëshmi të organizmit dhe të vënies në pah të talentëve përmes saj. Nga këto gara kemi parë pjesëmarrje masive si dhe interesim të jashtëzakonshëm. Edhe komuna juaj është shembull i jashtëzakonshëm i anagazhimit tuaj për ta mbështetur një projekt që përfshin të gjithë nxënësit pa dallim”, tha Koordinatori Hoti.
Ndërkaq, drejtoresha e shkollës, Majlinda Doli, tregoi se si garat nacionale të kreativitetit kanë zbuluar shumë talentë të heshtur. “Duke qënë pjesë e garave e kam parë nga afër sa serioz ka qenë projekti dhe sa talentë kemi. Ne kemi pasur nxënës të heshtur që vetëm në këto gara i është mundësuar ta shpehin talentin e tyre, andaj ne do të vazhdojmë ta përkrahim”, tha Doli.
Vizitën tjetër Koordinatori Hoti e zhvilloi në shkollën “Gjon Buzuku” në Prizren ku po ashtu u njoftua për rrjedhën e garës. Aty Hoti u takua edhe me disa nga nxënësit fitues republikan të kësaj shkolle. “Ne e kemi emëruar si garë, mirëpo ky proces që po zhvillohet nëpër shkolla është realisht mësimnxënie. Të gjithë nxënësit pjesëmarrës kanë fituar diçka dhe ata të gjithë janë fitues, sepse kanë përfituar nga përgatitjet që janë bërë. Sigurisht, kjo është arritur me përkushtimin tuaj si mësimdhënës e drejtori sepse ju keni qenë ata i keni udhëhequr nxënësit deri te suksesi”, tha Hoti në Prizren.
E drejtori i shkollës “Gjon Buzuku”, Jeronim Susuri u nda i kënaqur me procesin e garave deri më tani ndërsa shtoi se do të vazhdojnë të punojnë për t’u përgatitur edhe më mirë.
Vizitat nëpër shkolla janë duke u mbajtur në komuna të ndryshme të Kosovës ku Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport po përcjellë fillimin e garës së paraparë në Programin Nacional për Rininë.