Në Rusinë e shekullit njëzet një aristokrate e humb pronën e saj – që ka marrë nam për kopshtin e madh të vishnjave – nga një tregtar gjysmanalfabet, paraardhësit e të cilit kishin qenë thjesht robër.
Një prej kryeveprave të Anton Çehovit, “Kopshti i vishnjeve”, qysh prej produksionit të parë, i kishte sfiduar regjisorët që kishin luftuar me natyrën e dyfishtë të shfaqjes, shkruan sot “Koha Ditore”. Çehovi e kishte përshkruar si komedi, me elemente të farsës, por në produksionin e parë në Teatrin e Artit në Moskë, janarin e vitit 1904, regjisori Konstantin Stanislavski e kishte trajtuar atë si komedi.
Në Prishtinën e shekullit njëzetenjë, inskenimi i “Kopshtit të vishnjeve” u sfidua disa herë. Greva e aktorëve rezidentë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, e anuloi premierën e paralajmëruar për të mërkurën e javës që shkoi. Nën regji të Ilir Bokshit, shfaqja u dha për publikun tek të hënën mbrëma. Triumfi i gjysmanalfabetit Yermolai në veprën e njohur të letërsisë klasike, sado tërthorazi, vjen si mesazh thumbues për ata që udhëheqin shtetin. Sado që flet nga një epokë tjetër, ajo çfarë e ka thënë Çehovi para më shumë se një shekulli korrespondon mirë me atë që ngjan sot.
Aktorëve Shengyl Ismaili (Ljubova Andreievna Raneyskaya) e Adrian Morinës (Yermolai Alexievitch Lopakhin) u bie një peshë e madhe në produksionin e ri të TKK-së, sado që e gjithë kasta është shumë prezente në skenë. Individualisht, secili prej tyre − kasta përfshin edhe Ernest Malazogun, Armend Smajlin, Semira Latifin, Qëndresa Jasharin, Shpëtim Kastratin, Ylber Bardhin, Luan Jahën, Vlera Pyllan e Besfort Berberin – dallohet në përpjekjet për t’u mishëruar me rolin.
Me gjithë shtyrjen e premierës, salla e TKK-së ka qenë gati se e mbushur plot.
Regjisorja Burbuqe Berisha ka thënë fjalë të mira për “Kopshtin e vishnjeve”, të realizuar nga Bokshi.
“Një tekst që është shumë aktual edhe në ditët e sotme. Një këndvështrim ndryshe i regjisorit”, ka thënë Berisha.
“Kopshti i vishnjeve” do të testohet në repriza.