Koreja e Jugut ka paralajmëruar të hënën për një krizë të re të koronavirusit, pasi janë shtuar rastet, përfshirë edhe një që lidhet me kishën ku më tepër se 300 anëtarë të një kongregacioni janë infektuar, por qindra tjerë po hezitojnë të testohen, shkruan agjencia Reuters.
Përhapja e lidhur me kishën “Sarang Jeil” në Seul është më e madhja në Kore të Jugut për afro gjashtë muaj dhe ka shtyrë që të forcohet rregulli i distancës sociale të dielën.
Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (KCDC) ka raportuar në mesnatën e të shtunës 197 raste të reja, shumica në Seul, duke shënuar ditën e tretë rresht me treshifror të rasteve të reja.
Korea e Jugut shihet si një nga storiet e suksesit se si ka menaxhuar pandeminë, por vazhdimisht është përballur me vatra të reja. Rastet e fundit e kanë çuar shifrën totale në 15.515, ndërsa 315 kanë vdekur.
“Ne po shohim situatën aktuale si një fazë fillestare të një përhapje të shkallës së madhe. Do të përballemi me një krizë nëse përhapja aktuale nuk kontrollohet. Do të ketë rritje të jashtëzakonshme të rasteve, që mund të qojë në kolaps të sistemit tonë mjekësor dhe do të shkaktojë dëme të mëdha në ekonomi”, ka thënë drejtori i KCDC-së, Jeong Eun-kyeong.