Koreja Jugore shënon vetëm 8 raste të reja të virusit, nis t’i largojë kufizimet

Prishtinë | 19 Pri 2020 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Koresë Jugore, Chung Sye-Kyun, tha të dielën se vendi i tij i ka shënuar vetëm tetë raste të reja të koronavirusit gjatë 24 orëve të kaluara, prandaj do t’i largojë disa nga kufizimet e vendosura më parë si pjesë e masave kundër pandemisë.

Kjo është hera e parë në dy muajt e fundit që numri i të infektuarve të rinj për periudhë njëditore në Korenë Jugore është njëshifror. Hera e fundit me numër kaq të vogël të infektimeve të reja ishte në mesin e muajit shkurt, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Kryeministri koreanojugor tha se qeveria do ta shqyrtojë hapjen e hapësirave të jashtme publike dhe do t’i zbusë masat për veprimtarinë e qendrave sportive dhe restoranteve nën rrethana të caktuara.

Sidoqoftë, ai një ditë më parë bëri thirrje për pakësim të aktiviteteve në mjedis të hapur dhe respektim të distancës sociale në prag të festave.

Ndërkohë presidenti Moon Jae-in ka thënë: “Ne nuk duhet ta largojmë vigjilencën derisa të konfirmohet shërimi i pacientit të fundit”.

Deri më tani, Koreja Jugore i ka regjistruar 234 viktima dhe 10,661 raste të infektimeve me koronavirus. Ky vend është marrë shembull në botë për menaxhimin e pandemisë, kryesisht për shkak të testimit masiv të popullsisë dhe shkallës së ulët të vdekshmërisë.

Të ngjashme