Kosova alarmohet nga Coronavirusi në Shqipëri, mjekët tregojnë masat që janë marrë

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Kosova zyrtarisht ende mbetet e paprekur nga Covid-19 edhe pse virusi tashmë ndodhet afër kufijve të saj.

Mbrëmë vonë janë konfirmuar dy rastet e para në Shqipëri, ndërkohë që sot në QKUK’së në Prishtinë kanë kërkuar ndihmë dy vajza të cilat dyshohet se mund të jenë prekur nga koronavirusi.

Analizat për to, pritet që të dalin sot gjatë ditës. Por cilat janë trajtimet dhe çfarë kontrollesh po aplikojnë institucionet kosovare në personat të cilët dyshohet se janë prekur nga virusi kinez dhe sa kohë duhet që mostrat e marra për këta pacient të vërtetohen?.

Një repart në Klinikën Infektive me 20 shtretër është vënë në dispozicion për personat të cilët dyshohet se janë prekur nga koronavirusi. Për këtë hapësirë është siguruar një hyrje e veçantë, ku ekipi mjekësor i pret pacientët për t’i diagnostikuar nëse janë prekur nga virusi i përhapur në gjithë botën.

Pacienti që dyshohet se është i prekur, në asnjë mënyrë, sipas infektoklogëve kosovarë nuk vendoset e as nuk kalon nëpër hapësirat ku janë shtruar pacientët me viroza të zakonshme, siç është gripi sezonal.

Gazeta Express gjatë ditës ka qëndruar në Klinikën Infektive. Infektologët e QKUK kanë shpjeguar për mënyrën se si punojnë me personat të cilët dyshohet se janë prekur nga koronavirusi.

Mjeku, Valbon Krasniqi ka dhënë hollësi për punë që bëhet aty.

“Ne e kemi repartin B që e kemi izoluar. Janë 20 shtretër në rast se paraqitet nevoja është plani për shfrytëzimin e kapaciteteve të përgjithshme të Klinikës Infektive, ku i kemi 130 shtretër. Personi i cili vjen si i dyshimtë për prekje të mundshme nga koronavirusi e ka hyrjen e veçantë në Klinikën tonë. Aty është dhoma e triazhimit, është ekipi mjekësor i cili i pret, ekzaminon pacientët e dyshimtë. Ekipi po ashtu e merr anamnezën, historinë e udhëtimit dhe pyet për shenjat e mundshme të gripit”, sqaron doktori.

Ai thotë se në rast se pacientët kanë shenja të koronavirusit dhe kanë qëndruar në vendet ku tashmë është konfirmuar prania e këtij virusi, atëherë ata izolohen brenda dhomave të veçanta të klinikës.

Sipas mjekut, Krasniqi, rezultatet për personat e prekur me koronavirus përpunohen brenda ditës dhe zgjasin 3 deri në 5 orë.

“Në rast se kanë shenja të gripit dhe histori të mundshme të udhëtimit në vendet ku veç është vërtetu prania e virusit, atëherë hospitalizohet dhe hynë në një dhomë brenda repartit të izolimit. Pra neve brenda ditës për rastet e dyshimeve na vjen rezultati. Deri tash të gjitha rezultatet na kanë rezultuar negative”, sqaron infektologu i QKUK’së.

E ndërkohë, deri më tani në Kosovë nuk është konfirmuar asnjë rast pozitiv me koronavirus. Rezultatet negative kanë dalë për rreth 50 perona që kanë shkuar për t’u diagnostikuar.

Sa është e pajisur QKUK për t’u mbrojtur nga koronavisrusi?

Ministria e Shëndetësisë tashmë e ka bërë furnizimin me maska dhe mjete tjera mbrojtëse si për t’u mbrojtur nga përhapja e Covid-19.

Sipas mjekëve, për pacientët që dyshohet se janë prekur nga koronavirusi, nuk ka bar specifik. Por, në ta aplikohet dhënia e infuzioneve, analgjetikëve për ta qetësuar kollën , dhembjen, pra për t’i qetësuar simptomat e gripit.

“Nëse ka nevojë për antiviral, në shtet e ndryshme janë aplikuar disa barna të cilat edhe nuk mund t’i aplikojmë. Sa i përket pajisjeve për mbrojtje personale, ne jemi të furnizuar kënaqshëm për një periudhë disa-javore”, sqarohen mjekët e QKUK’së.

Qeveria i ka ndarë 400 mijë euro për Koronavirusin thonë se situata është nën kontroll

Në Ministrinë e Shëndetësisë kosovare kanë deklaruar se janë duke u marrë me situatën dhe se së shpejti stafin QKUK’së do ta furnizojnë me mjete shtesë mbrojtëse.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale janë rreth 63 respiratorë për trajtimin e rasteve të rënda në kujdesin intensiv, por rreth gjysma prej tyre aktualisht janë në shfrytëzim për pacientët e shtrirë në spitale. Mungesa e respiratorëve është një prej barrierave që po vështirëson përballimin e situatës me koronavirusin në Itali. Madje mjekët intensivisht atje kanë alarmuar hapur për këtë problem.

Por Ministria e Shëndetësisë në Kosovë pretendon se ka mjaftueshëm respiratorë. Kështu ka deklaruar në disa sqarime që i ka dhënë Expressit për përgatitjet që janë duke i bërë kundër Covid-19.

“Kapacitetet aktuale me respiratorë, sipas shërbimeve klinike që i përdorin ata i përgjigjen situatës për momentin. Megjithatë, është menduar që në Klinikën Infektive, sipas nevojës të dislokohen edhe respiratorë të tjerë nëse do të jetë nevoja për përdorimin e tyre, pa e përjashtuar mundësinë edhe të sigurimit të ndonjë respiratori shtesë”.

“Krahas furnizimeve vetanake nga buxheti i vet, MSh është duke mbajtur komunikim të rregullt edhe me partnerët e jashtëm, për të shfrytëzuar edhe ndihmën e tyre me çfarëdo furnizimi tjetër apo pajisjeje që ju hyn në punë profesionistëve shëndetësor në situate të ngjashme si kjo me Koronavirus”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Në MSH kanë deklaruar për Express se mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës po përdoren për të realizuar aktivitetet dhe masat e planit të veprimit të Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër Coronavirusit Covid 19, përfshirë edhe sigurimin e pajisjeve mbrojtëse personale për stafin shëndetësore dhe shërbimet e tjera mbështetëse të cilat krahas ekipeve shëndetësore janë të angazhuara në aktivitetet kundër Covid 19, si Policia kufitare, dogana, etj. Gjithashtu edhe në ngritjen e kapaciteteve për t’u ballafaquar me rastet e mundshme dhe realizimin e çdo aktiviteti që del nga ky plan dhe që ka ngarkesa financiare.

“Që nga fillimi i kësaj jave, këto shërbime do të pajisjen me respiratorë tjerë FFP2, veshje mbrojtëse për tërë trupin, mburoja për fytyrë, dorëza mbrojtëse, dezinfektues për duar së bashku me dispenser dhe termometër infra të kuq për ballë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Kjo ministri ka thënë se në rast nevoje qendrat e karantinës do të vendosen jashtë spitaleve në të cilat do të trajtohen personat që kanë mundur të jenë në kontakt me persona të infektuar apo persona që i janë ekspozuar infektimit.

“Personat e prekur nga virusi vendosen në trajtim në dhoma të izoluara. Karantinat të cilat janë përcaktuar si të mundshme, kanë një pjesë të mire të infrastrukturës, ndërsa për një pjesë tjetër janë bërë planifikimet që të jenë gati në momentin që vendoset për to. Janë llogaritur edhe shpenzimet për një numër të konsideruar të personave që do të mund të vendoseshin në to”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Kujtojmë se vetëm Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë regjistruar ende asnjë rast zyrtarisht të prekur nga koronavirusi në rajon. Ministria e Infrastrukturës pezulluar fluturimet nga rajoni i veriut të Italisë ku ka shpërthyer virusi.

Por si është gjendja me koronavirusin në spitalet regjionale të Kosovës?

Të gjitha rastet e dyshuara për prekje nga virusi kinez, nga të gjitha spitalet e Kosovës po referohen për në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Por megjithëkëtë, spitalet regjionale në Kosovë tashmë kanë ndarë vendet e veçanta për persona e prekur me koronë.

Nga spitali i Prizrenit, drejtori Afrim Avdijaj i tha Expressit se i kanë bërë përgatitjet e duhura për përballje me koronavirusin.

“Kemi ndërmarrë masa preventive. E kemi formua ekipin që do të merret me rastet e dyshimta. Për momentin nuk kemi raste të dyshimta. Ne e kemi nda hapësirën e caktuar që do të merret me rastet e dyshimta. I kemi caktua hyrjet e veçanta.

Mobilizim ka edhe në Gjakovë. Nga aty, drejtori Hilmi Shala në një deklaratë për Express tha se në repartin e veçantë për pacientët e prekur nga Covid-19 janë vënë në dispozicion 30 shtretër.

“Përgatitjet i kemi fillu. Punëtorët i kemi pajisë me maska. Dezinsektus. E kemi përgaditë repartin veçantë. 30 shtretër. Nëse ka nevojë atëherë i lëshojmë repartet e tjera”

Mobilizim të njëjtë ka edhe në Gjilan. Nga Aty drejtori Nisret Hajrullahu tha se i kanë vënë ne dispozicion 28 shtretër.

“Kemi sigurua një saksi të maskave, dezinficientëve. Ne e kemi repartin e sëmundjeve infektive. I kemi 28 vende në rast se ka nevojë për pacientë. Ka raste të veçanta që i referojmë për Prishtinë.

E në krejt këtë situatë, Qeveria e Kosovës tashmë ka ndarë 400 mije euro për Ministrinë e Shëndetesisë për nevojat e situatës.

Koronavirusi Covid-19 deri më tani ka prekur mbi 110 mijë persona në krejt botën, dhe rreth 3900 kanë vdekur.

Të ngjashme