Ka shumë zëra pro et contra rreth paralajmërimit të Presidentit për nxjerrjen e dekretit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë COVID-19, e cila ka përfshirë vendin tonë. Personalisht, duke ndjekur situatën konsideroj se emergjenca shëndetësore deri me tani ka arritur qe me sukses të përballoj gjendjen me të infektuarit e identifikuar.
Por po ta shohim nga perspektiva e vendimeve dhe masave të ndermarrura deri me tani nga ministria e shëndetësisë dhe dega e ekzekutivit ne përgjithësi, si: ndërprerjen e procesit edukativo-arsimor, mbylljen e lokaleve, bareve, restoraneve, tregjeve, qendrave tregtare, pezullimin e linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor, mbylljen e kufijëve, reduktimin e e punës së stafit të administratës, shtyrjen e pagesave të tatimeve dhe taksave taksave tjera, pastaj karantinimin e disa qyteteve, e tashmë se fundi edhe karantimin e qytetarëve të cilët po vijnë nga shtetet e jashtme të prekura me këtë pandemi, DE FACTO edhe jemi në gjendje të jashtëzakonshme!
Konsideroj se e vetmja gjë për të cilën institucionet e ekzekutivit nuk kanë mundësi te nxjerrin vendim për ta aplikuar si masë në këtë situatë, është kufizimi i i të drejtave dhe lirive të njeriut, respektivisht kufizimi i lirisë së lëvizjes ne rast të fatkeqësisë natyrore, e cila masë mund të mirret vetëm përmes shpalljes dhe votimit të dekretit, ashtu siç e percakton neni 133 paragrafi 1.3 dhe paragrafi 4 i Kushtetutës së Kosovës.
Në këtë “Dekret” do të mund të inkorporoheshin të gjitha këto masa që janë marrr deri me tani, duke përfshirë ne të edhe masën e kufizimit të lirisë së lëvizjes, e cila masë fatkeqësisht po shihet se është e domosdoshme, duke parë qarkullimin dhe lëvizjen e pa kontrolluar të qytetarëve nëpër rrugët, parqet dhe vendet e hapura publike!
Alarmi nga të gjithë profesionistët shëndetësor për luftimin e kësaj pandemie, konsiston në respektimin e rekomandimeve për mbyllje dhe qëndrim në shtëpi, duke ju shmang daljeve ne vende publike individualisht dhe ne mënyre grupore, gjë qe siç po shihet nuk kemi pasur sukses me masat e deritanishme ta ndalojmë!
Andaj, duke parë se tashmë pothuajse të gjitha masat janë ndërmarrur nga institucionet kompetente, përveç masës si element qenësor në luftimin e kësaj pandemie, siç është kufizimi i lirisë së lëvizjes, kufizim ky që në rrethana normale cenon të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë, e vetmja mundësi që të parandalojmë një përhapje të këtij virusi nga moskujdesi i qytetarëve për ti ndalur lëvizjet e panevojshme të tyre, është qe edhe DE JURE të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, me qëllim të ruajtjes dhe kujdesit të shëndetin të përgjithshëm të qytetarëve të vendit tonë.
Dekreti duhet të përcaktoj natyrën e gjendjes së jashtëzakonshme/emergjente, si dhe masat e domosdoshme apo të nevojshme qe duhet të mirren me rastin e kufizimit të tê drejtave dhe lirive themelore të njeriut, e të cilat duhet të jenë në përputhje dhe respektim të plotë të nenit 55 dhe 56 të Kushtetutës.