Ministri i Financave Avdullah Hoti, i shoqëruar edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri gjendet për vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë.
Gjatë vizitës zyrtare në Kroaci Ministri Avdullah Hoti është pritur nga Ministri i Financave i Republikës së Kroacisë Zdravko Marie, me të cilin diskutuan në lidhje me thellimin e bashkëpunimit ndemjet dy vendeve me theks të veçantë në fushën e tatimeve, luftën e ekonomisë joformale, fushën e fiskalizimit, si dhe në fusha tjera.
Me këtë rast, Ministri Avdullah Hoti dhe homologu i tij kroat Ministri Zdravko Marie kanë nënshkruar Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin.
Në kuadër të bashkëpunimit në fushën e fiskalizimit Ministri Kroat Zdravko Marie njoftoi Ministrin Avdullah Hoti për gatishmërinë e shtetit kroat që të ofrojë përvojën e tyre për shtetin e Kosovës në fiskalizimin e bizneseve.
Ministri Avdullah Hoti gjatë vizitës në Republikën e Kroacisë, i shoqëruar edhe nga homologu i tij kroat Ministri Zdravko Marie vizitoi Administratën Tatimore të Kroacisë, ku panë për së afërmi funksionimin e kësaj Administrate, si dhe u njoftuan nga stafi i saj me sistemin fiskal të shtetit të Kroacisë.