Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli është takuar me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq, raporton Ekonomia Online.
Në fillim të takimit mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje. Sipas komunikatë së dërguar nga zyra e Veselit, ai dhe kryeministri Markoviq theksuan se Kosova dhe Mali i Zi janë shtete mike, që kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë njëra-tjetrën në integrimet eurotalantike. Në këtë drejtim të dytë theksuan gatishmërinë për të zgjidhur me dialog çdo çështje mes palëve, përfshirë edhe demarkacionin.
Kreyeparlamentari Veseli theksoi nevojën që kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe që të dy vendet, Kosova dhe Mali i Zi, përveç në integrimet euro-atlantike, të punojnë ngushtë në forcimin e raporteve ekonomike.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë, shërbejnë si ura të forta për avancimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve. Kryeparlamentari Veseli i konsideroi pozitive dhe të rëndësishme vendimet e shtetit malazez për themelimin e Komunës më shumicë shqiptare të Tuzit dhe miratimin e vendimit i cili parasheh zyrtarizmin e gjuhës shqipe në komunat në të cilat shqiptarët përbëjnë mbi pesë për qind të popullsisë.
Veseli po ashtu theksoi rëndësinë e realizimit sa më të shpejtë të rrugës Deçan-Plavë, e cila, siç tha ai, do të lehtësonte ndjeshëm qarkullimin e qytetarëve në të dy anët e kufirit, por do të kishte efekte pozitive edhe në shkëmbimet tregtare midis dy shteteve.
Kreu i Kuvendit të Kosovës theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për t’i dhënë komunitetit malazez në Kosovë hapësirën e nevojshme kushtetuese, duke i hapur rrugë kështu integrimit më të madh të tij në institucione.
Kryeministri i Malit të Zi vlerësoi raportet në mes të dy vendeve si shumë miqësore, duke shprehur përkushtimin e Malit të Zi që të ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
Kreu i qeverisë së Malit të Zi dje është pritur nga Kryeministri Ramush Haradinaj me ceremoni të lartë shtetërore.
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, mas takimit tha se Demarkacioni ka përfunduar në momentin që u ratifikua në Kuvendin e Malit të Zi, por si një fqinj i mirë, dëshirojnë ta ndihmojnë Kosovën.
Por Markoviq nuk ka dashur të flasë më konkretisht si mund të zgjidhet kjo çështje. “Nuk është koha për të thënë diçka më konkrete”, deklaroi ai.
Ndërsa kreu i qeverisë së Kosovës nuk ka komentuar shumë rreth kësaj çështje, veçse e ka cilësuar si historike vizitën e parë të Markoviqit në Kosovë.