Kosova dhe Shqipëria shkëmbejnë përvojat në fushën e drejtësisë

Prishtinë | 01 Qer 2017 | 12:09 | Nga

Në ambientet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), kryesuesi Nehat Idrizi i shoqëruar nga disa anëtarë të Këshillit, priti sot në një takim miqësor një delegacion të nivelit të lartë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë (KLD), kryesuar nga Presidenti i Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar i Këshillave Gjyqësorë dhe anëtar i KLD-së, Gjin Gjoni.

Delegacioni i Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore, me qëllim të shkëmbimit të eksperiencës ndërmjet institucioneve kryesore homologe të drejtësisë së dy vendeve, e po ashtu edhe të shkëmbimit të ideve dhe praktikave më të mira për një qeverisje sa më të mirë të sistemit gjyqësor.

Në këtë takim, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi e informoi delegacionin e KLD-së, mbi përbërjen aktuale, funksionin dhe kompetencat e KGjK-së, si dhe organizimin e sistemit gjyqësor në përgjithësi.

Kryesuesi Idrizi, gjithashtu i njoftoi të pranishmit në lidhje me procesin për vlerësimin e gjyqtarëve,i cili është njëri nga prioritetet e KGjK-së, në funksion të promovimit dhe ngritjes profesionale të gjyqtarëve.

Delegacionit shqiptar, iu bënë të njohura edhe disa prej prioriteteve dhe arritjeve kryesore në kuadër të reformimit të sistemit gjyqësor, duke u ndalur në mënyrë specifike në decentralizimin e gjykatave në vend.

Anëtari i KLD-s, presidenti i Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar i Këshillave Gjyqësorë Gjin Gjoni, pasi vlerësoi punën e Këshillit Gjyqësor dhe Kryesuesit Idrizi, theksoi se një sistem gjyqësor i pavarur është garanci e shtetit të së drejtës.

Në vijim të takimit, anëtari i KLD-së, Gjoni njoftoi Kryesuesin dhe anëtarët e KGjK-së, mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë, duke u ndalur në mënyrë specifike në vështirësitë dhe problemet që ka sot sistemi gjyqësor dhe se çdo ndërhyrje i thyen parimet bazë të funksionimit të shtetit të së drejtës.

Gjatë bashkëbisedimit, u evidentuan gjithashtu, sfidat e përbashkëta në kuadër të përmbushjes së objektivave që secili shtet bart në vetvete në fushën e drejtësisë, si dhe njëzëri u pajtuan që të vazhdoi edhe më tutje bashkëpunimi në mes të dy shteteve.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë së Shqipërisë në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, do të ketë takime me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme