Kosova është njëra prej pesë vendeve që do të garojnë për herë të parë në një ngjarje të Federatës Botërore të Karlingut (Curling).
Kosova, Meksika, Nigeria, Arabia Saudite dhe Ukraina do të debutojnë në karlingun ndërkombëtar në kampionatin botëror për çifte të përziera që do të mbahet në Stavanger të Norvegjisë prej 20 deri më 27 prill të këtij viti. Këtë e ka bërë të ditur faqja zyrtare e Federatës Botërore të Karlingut (WCF), shkruan sot Koha Ditore.
Karlingu është sport olimpik dimëror, që zhvillohet në akull, ndërsa në Kosovë është në fazë të hershme të zhvillimit. Në Kosovë nuk ka ndonjë arenë adekuate me shtresë të akullt për të luajtur versionin origjinal të karlingut.
Por Federata kosovare e Karlingut ka një terren të karlingut me një shtresë të plastikës së fortë ku rrëshqasin gurët e karlingut. Ai terren shërben për demonstrim të sportit, që në fakt po has në vështirësi për t’u zhvilluar në vend.
Është kanadezi Peter Andersen që po merret me zhvillimin e karlingut në Kosovë. Ai do të jetë njëri prej dy garuesve që do ta prezantojnë Kosovën në botëror.